Shqipëria

Shpërthimi në banesën e Dukës/ Basha: Drejtësia të mos qëndrojë duarkryq


Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas episodit të eksplozivit të shpërthyer në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Përmes një postimi në platformën Twitter, Basha e ka lidhur këtë episod me degradimin e pushtetit me qëllim kapjen e institucioneve.

“Zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni”, ka shkruar ai.

Sipas kreut të Partisë Demokratike, tensioni i krijuar me vendosjen e eksplozivit në banesën e Dukës, duhet të marrë fund.

“Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq”, ka përmbyllur reagimin e tij Basha.

Ky reagim i tij ka ardhur pas lajmit se në banesën e Dukës ka ndodhur një shpërthim me tritol.

Sipas burimeve të Albanian Post, shpërthimi ka ndodhur në derën e jashtme të banesës së Dukës.

Ndërkaq, në vendngjarje ndodhen edhe forca policore, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore