Kosova

Shpërthejnë dy bomba në Prishtinë


Ilustrim: Zonë e siguruar nga Policia

Dy shpërthime janë dëgjuar rreth orës 22:00 në Prishtinë, në rrugën “Asllan Pireva” në lagjen “Kodra e Trimave”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës “informacionet e para flasin për shpërthimin e dy mjeteve shpërthyese”.

Raporti policor tregon se përveç dëmeve materiale “fatmirësisht nuk kanë shkaktuar pasoja në njerëz”.

Policia tashmë ka dalë në vendin e ngjarjes, “me ç’ rast ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, të sigurisë si dhe ato hetimore-ekzaminuese”.

“Aktualisht të gjitha njësitë e nevojshme policore për të menaxhuar me situatën dhe hetuar rrethanat e rastit janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e duhura policore”.

Polica nuk ka dhënë detaje të tjera rreth këtyre shpërthimeve, derisa bën me dije se po heton motivet.

Gjithashtu, nuk është raportuar as për ndonjë të arrestuar.

Albanian Post mëson se shpërthimet kanë ndodhur afër një hoteli në atë zonë, por nuk bëhet e qartë nëse shpërthimet janë bërë si sulm me paramendim ndaj kësaj prone.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore