Lajme

Shpërndahen protestuesit në Zubin Potok


Foto/Radio Evropa e Lirë

Protestuesit serbë, të mbledhur që nga orët e para të mëngjesit të së hënës para ndërtesës së Komunës së Zubin Potokut, tashmë janë shpërndarë, raportojnë gazetarët e “Radio Evropa e Lirë”, ndërsa të njëjtit kanë paralajmëruar protestë tjetër të martën (nesër).

Tensionet janë më të larta në Zveçan, ku grupe të serbëve lokalë – mes tyre disa edhe me maska e kapele – po qëndrojnë grumbull para ndërtesës së komunës, raportojnë gazetarët në terren, ndërsa në Leposaviq, situata në përgjithësi është më e qetë.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policore nga veriu.

KFOR-i nga ana tjetër u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim të situatës, ndërsa i ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë të angazhohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Serbët para Komunës së Zveçanit, kanë vendosur flamurin e Serbisë në një autoblindë të njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, ndërsa në disa të tjera kanë shkruar me sprej të bardhë katër shkronja cirilike “S (С)”, që do të thotë “Vetëm uniteti i shpëton serbët”.

Gjithashtu, veturat e ekipeve të gazetarëve kosovarë janë dëmtuar të hënën në mesditë nga persona të panjohur në Leposaviq. Veturave u janë shpërthyer gomat dhe në to janë vizatuar simbole nacionaliste serbe. Janë dëgjuar edhe këngë nacionaliste serbe.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore