Shqipëria

Shpërdoruan detyrën, AMP-ja ndalon katër punonjës policie në Velipojë


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Shkodër-Lezhë, të premten e 17 qershorit ka ndaluar katër punonjës policie në Velipojë për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, si persona me fushë përgjegjësie direkt, këta punonjës dyshohet se kanë favorizuar kultivimin e sasive të konsiderueshme të bimëve narkotike në zona që kanë pasur mundësi të mbikëqyren e kontrollohen në kuadër edhe të Planit të Veprimit dhe Planit Operacional të DVP-së.

AMP-ja ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit konkretisht për nënkomisarin Z. S., 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë; nënkomisar A. H., 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë: inspektor E. L., 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë; inspektor H. B., 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë.

Ndërkohë materialet proceduriale i kaluan për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

“AMP-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, mbyllet njoftimi i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore