Lajme

Shpërbëhet organizata më e vjetër ruse e të drejtave të njeriut


Një gjykatë në Moskë pranoi kërkesën e Ministrisë ruse të Drejtësisë për të ndërprerë aktivitetet e Grupit të Helsinkit të Moskës (MHG), organizata më e vjetër e të drejtave të njeriut në Rusi, raportojnë agjencitë vendase.

Në padinë e saj, Ministria e Drejtësisë pretendoi se MHG-ja ka shkelur ligjet që kanë të bëjnë me organizatat sociale duke vepruar jashtë rajonit të Moskës dhe se statuti i organizatës nuk përputhet me kërkesat aktuale ligjore.

Ministria e Drejtësisë ngriti një padi kundër MHG-së në dhjetor të vitit 2022, për një “teknikalitet”, sipas Eva Merkacheva, një anëtare e Këshillit Presidencial të Rusisë për të Drejtat e Njeriut.

Grupi i Helsinkit në Moskë u themelua në vitin 1976 për të kontribuar në përmbushjen e detyrimeve humanitare nga ana e BRSS-së që mori kur nënshkroi Marrëveshjen e Helsinkit në 1975.

Një nga bashkëthemeluesit e tij ishte historiania e famshme dhe avokatja e të drejtave të njeriut Lyudmila Alexeyeva, e cila drejtoi grupin nga 1996 deri në vdekjen e saj në 2018.

Që nga formimi i saj, MHG-ja iu nënshtrua persekutimit dhe represionit të vazhdueshëm nga KGB-ja dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit sovjetik, të cilat arrestuan ose detyruan të emigronin mbi një duzinë anëtarë të MHG-së midis viteve 1976 dhe 1982.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore