Sport

Shpaloset projekti për ‘Camp Nou’-n e ri, vlera fillestare 1.5 miliardë euro


Anëtarët e klubit të Barcelona-s do të takohen gjatë ditës së martë të 19 tetorit për të përcaktuar fatin e projektit “Espai Barça”. Projekti u propozua nga Joan Laporta, Presidenti i Barcelona-s.

Projekti ka në thelb rimodelimin e stadiumit aktual “Camp Nou”. Edhe bordi i mëparshëm kishte një projekt të tillë, mbi të cilin është punuar, por me disa ndryshime.

Gazeta “Sport” ka mësuar se në projektin e Laporta-s po punohet për ndërtimin e një tribune të tretë kryesore. Ajo do të krijojë më shumë akses, rehati dhe shpërndarje më të mirë operacionale dhe funksionale për tifozët dhe anëtarët e klubit.

Gjithashtu, tribuna e re do të përqëndronte pjesën VIP në një zonë të caktuar dhe jo shpërndarjen e tyre në gjithë stadiumin. Kapaciteti maksimal i stadiumit të ri pritet të jetë 105 mijë vende.

Do të ketë ndryshime edhe në pjesën e sipërme të stadiumit. Unaza që ndodhet në çati, sipër tribunave do të ketë elemente shtesë. Në të do të vendoset një sistem gjeotermal që do të ndihmojë në shpërndarjen e nxehtësisë dhe të ftohtit.

Pjesa tjetër e çatisë do të mbulohet nga panele diellore, në një sipërfaqe rreth 30 mijë metër katror.

Stadiumi do të ketë teknologjinë më të fundit. Duke filluar nga lidhja 5G e internetit, te ekrani 360 gradë, sistemi sigurisë dhe shumë të tjera.

Nëse aksionerët e klubit votojnë pro këtij projekti, ai do të miratohet në fillim të vitit 2022 dhe në verë do të vihet në zbatim. Koha kur do të përfundojnë punimet parashikohet të jetë 2025.

Përgjatë kësaj periudhe, Barcelona do i zhvillojë ndeshjet pritëse në “Johan Cruyff” ose “Montjuic”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore