Shqipëria

Shpallja ime non grata ka për qëllim final të zgjasë ditët e qeverisë, thotë Berisha


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se shpallja e tij non grata (i padëshiruar) nga autoritetet britanike ka si qëllim final zgjatjen e ditëve të qeverisë.

Lajmi u bë i ditur pas publikimit të letrës së hapur drejtuar ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sir Alastair King-Smith.

“Kjo përbën një skandal të rëndë dhe akt të mirëfilltë korruptiv që ka për qellim final të zgjasë ditët e qeverisë më të korruptuar dhe inkriminuar të Evropës”, u shpreh fillimisht ish-kryeministri.

Sipas tij, autoritetet britanike e akuzojnë për korrupsion por nuk mund të sjellin asnjë provë dhe fakt të vetëm sepse nuk ekzistojnë.

“E vetmja gjë konkrete”, shtoi Berisha, “që përmendet në atë letër për korrupsionin është shtetasi britanik Damir Fazlliç”.

Kryedemokrati vëren se 14 vite më parë, prokuroria e hetoi sipërmarrësin për një kohë të gjatë duke mos provuar asnjë nga shkeljet e pretenduara për të.

“Më lejoni të theksoj se e gjithë historia lidhet me sjelljen e kapitalit privat të Fazlliç-it për investim direkt, dhe jo për lidhje me tendera apo kontrata publike”, nënvizon më tej ish-kryeministri.

Ndërsa kërkon prej diplomacisë britanike në Tiranë përgjigje për jurisprudencën dhe disa shkelje ndërkombëtare, Berisha e konsideron të gjithë situatën “tendencioze dhe abuzuese”.

Letra e hapur mbyllet me kërkesën drejtuar King-Smith që të paraqesë provat në një gjykatë shqiptare ose britanike, nëse gjenden.

Albanian Ex-PM Sali Berisha Claims UK Banned Him 'Based on Lies' | Balkan Insight

Por cila është lidhja mes Berishës Fazlliç dhe korrupsionit?

Në vitin 2006, vajza e Sali Berishë, Argita Malltezi dhe kolegia e saj, Flutura Kola, nisën të blejnë tokë me 10 euro për metër katror.

Kjo dy herë më shumë se sa vlera e tregut në Porto Romano.

Rreth 14 hektarë në kufijtë e një “parku energjetik” të vogël të lidhur me portin u siguruan për klientin e tyre, biznesmenin e dyshimtë boshnjak dhe këshilltar të Berishës gjatë zgjedhjeve, Damir Fazlliç.

Ky i fundit pagoi ndërmjetësit e tij, direkt apo indirekt, më shumë se sa katër herë çmimin e tregut, pra 18 euro për metër katror.

Shpejt pasi transaksionet u mbyllën, Berisha mori një vendim kryeministror për të lëvizur kufirin e parkut energjetik, duke përfshirë aty dhe pronat e reja të Fazlliçit, i cili transformoi menjëherë një kënetë të pavlerë në një pronë me vlerë të lartë, si dhe rriti çmimin e saj me së paku tetë herë.

Vajza e Berishës dhe ortakja e saj fituan 1.2 milionë euro nga shitja e tokës te Fazlliçi me çmim katër herë më të lartë se sa ai i tregut.

Biznesmeni boshnjak Fazlliç e pa vlerën e tokës së tij, të regjistruar në emër të dy kompanive shqiptare, të rritej nga 1.7 në 4.2 milionë euro pas vendimit të Berishës.

Nëse planet e tij për të zhvilluar zonën në një terminal nafte me vlerë 70 milionë euro do të vijonin, ai do të fitonte dhjetëra milionë euro.

Në vitin 2008, transaksionet tërhoqën vëmendjen e hetuesve shqiptarë kundër pastrimit të parave, të alarmuar nga përdorimi i “kompanive guackë” nga Fazlliç në Shqipëri, numri i shitjeve të kryera me kesh, çmimet e inflacionuara, si dhe përfshirja e kompanive të regjistruara në parajsat fiskale, Qipro dhe Karaibe.

Çështja ndaj Fazlliç u rrëzua më 2009 pasi prokurorët nuk siguruan dokumentet kyçe nga Bosnja dhe Qipro dhe nuk arritën të gjurmonin origjinën e fondeve.

Ai nuk u akuzua kurrë formalisht për ndonjë shkelje dhe hodhi poshtë të gjitha aludimet.

Fazlliç, një mik i ngushtë dhe këshilltar i Sali Berishës, me miq të fuqishëm në Washington, Londër dhe nëpër të gjithë Ballkanin, ka mohuar të ketë kryer ndonjë shkelje.

Damir Fazlic: Controversial Deal Broker | Balkan Insight

Berisha mbrojti Fazlliçin

Kur u njoftua hapja e hetimit për pastrim parash në tetor të 2008-ës, Berisha bëri të pamundurën për të mbrojtur Fazlliçin nga ndonjë akuzë e mundshme, duke siguruar dhe largimin e tij nga vendi me avion privat.

Sipas një memoje të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, të publikuar nga Wikileaks, inspektorët e ministrisë së Drejtësisë u dërguan për të rrëmbyer dosjen me dokumente nga prokuroria.

Prokurorët ranë pre e fushatave të njollosjes publike nga Berisha dhe madje u përballën me kërcënime për veprime ligjore nga Ministria e Brendshme.

Në qershor të 2009-ës, vetëm një muaj pasi Prokurorët shqiptarë hoqën dorë nga hetimi për pastrim parash, Berisha miratoi planin që përfshinte parcelat e tokës së Fazlliçit në parkun energjetik të Porto Romanos.

Kur iu kërkua të jepte llogari për rolin e vet në skandal, Berisha mbajti një konferencë për shtyp në mbrojtje të Fazlliçit, duke pretenduar se hetimi qe orkestruar “nga mafia” dhe këmbënguli se as Fazlliçi dhe as familja e tij nuk kanë përfituar prej postit të tij.

Argita Malltezi nuk u intervistua kurrë nga hetuesit dhe roli i saj në blerjen dhe shitjen e tokës ka mbetur sekret deri tani.

Argita, bashkëshorti i saj Jamarbër dhe vëllai Shkëlzeni, kanë qenë lidhur me disa skandale korrupsioni gjatë qeverisjes së Berishës por nuk u përfshinë kurrë formalisht në asnjë hetim.

Ata kanë mohuar gjithmonë të kenë bërë veprime të kundërligjshme.

Faktet të publikuara në artikullin, që është produkt i programit të titulluar ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’, i financuar nga Austrian Development Cooperation (ADC)

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore