Përballje

Shorti në Ligën e Konferencës mund të ofrojë një përballje shqiptare


Raundi i parë kualifikues në Ligën e Konferencës ka përfunduar, teksa mesjavën e ardhshme do të zhvillohet ai i dyti.

Sa i përket skuadrave shqiptare, Partizani, Gjilani dhe Llapi janë eliminuar, derisa këtë rreth kualifikues e kaluan Laçi e Drita, kurse Vllaznia është kualifikuar direkt në raundin e dytë.

Në këtë raund do të marrin pjesë edhe dy kampionët, i Shqipërisë, Tirana dhe ai i Kosovës, Ballkani, pasi u eliminuan në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Për raundin e tretë kualifikues, shorti do të hidhet këtë të hëne në Nyon të Zvicrës me fillim nga ora 14:00.

Ky short mund të na ofrojë një përballje shqiptare mes kampionëve, në rast se Tirana arrin ta kalojë me sukses Zrinjski-n dhe Ballkani e eliminon La Fiorita.

Ndërkohë, sa i takon Vllaznisë dhe Laçit, dyja skuadrat janë pjesë e të njëjtës vazo. Shkodranët do të përballen me Universitatea Craiova, derisa kurbinasit me Petrocub.

Nëse kalojnë këto ekipe, atëherë ato rrezikojnë të përballen me emra si Bate Borisiv apo me Konyaspor-in e lojtarëve shqiptarë, aty ku aktivizohen Cikalleshi, Çekiçi e Bytyqi.

Sa i përket Dritës, ata do ta kenë një prej përballjeve më të vështira në këtë raund, ku do të takohen me belgët e Antwerp.

Në rast se Drita arrin ta kalojë këtë kundërshtar, ai i ardhshëm do të jetë shumë më i lehtë për skuadrën nga Gjilani.

Ndërsa skuadra e Shkëndijës së Tetovës do të përballet në këtë rund me ekipin nga Letonia, Valmiera, kurse ajo çka bie në sy është se në rrethin tjetër mund të ballafaqohen me ekipin që eliminoi Dritën, Buducnost.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore