Sport

Shorti i Nations League/ Etrit Berisha: Synimi kryesor të dalim të parët në grup


Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha, ka folur pas shortit të Nations League për edicionin 2022/23. Shqipëria u shortua në Grupin B2, së bashku me Rusinë, Izraelin dhe Islandën.

Berisha thekson se objektivi kryesor i skuadrës duhet të jetë vendi i parë në grup, ndërsa flet për “pengesën” në këto ndeshje, si edhe vlerëson kundërshtarët.

Gardiani u shpreh se duke qenë pjesë e Ligës B, normalisht dhe kundërshtarët e fortë ishin të pritshëm për kuqezinjtë.

Duke pasur parasysh që jemi ngjitur në Ligën B, normalisht që edhe skuadrat në këtë janë më të forta, kjo dihej”, tha Berisha.

“Mirëpo duke parë ekipet, mund të themi që jemi të kënaqur me shortin. Por që të luhen katër ndeshje në 12 ditë do të jetë mjaft e vështirë për secilën skuadër dhe duhet të jemi të përgatitur maksimalisht”, shtoi lojtari i Torino-s në Serie A.

Berisha the se si synim kuqezinjë do të kenë vendin e parë. Ai e shikon këtë gjë si mënyrën e vetme që Shqipëria të rritet si skuadër.

Synimi ynë kryesor është që të dalim të parët në grup, pasi kjo është mënyra e vetme për të shkuar përpara dhe mënyra e vetme për të arritur një objektiv të rëndësishëm”, theksoi 32-vjeçari.

“Duke parë këtë format të ri të kalendarit në ndeshjet që do luhen brenda dy javëve të para të qershorit besoj se do të mësohet edhe fati i çdo skuadre në grupin tonë eliminator”.

“Kështu që ne duhet të jemi të përgatutur maksimalisht për të përballuar me sukses këto ndeshje”, përfundoi lojtari i lindur në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore