Shqipëria

Shoqëria nën ‘fuqinë’ e stereotipave


“Jo, vajzat nuk ia thonë matematikës”; “Burrat nuk qajnë”; “Zgjuarsia ecën në gjene”; “Shumë e mbajtur, s’mund të jetë e zgjuar”

Ka shumë mundësi që të paktën një herë në jetë t’i keni dëgjuar të tilla shprehje. Në fakt, sipas psikologëve, nuk janë shprehje, por “stereotipi”.

Fenomeni “stereotipa në Shqipëri”

Për Albanian Post (AP), psikologia Lenida Halilaj flet mbi fenomenin “stereotipa në Shqipëri”.

Sipas saj, stereotipat janë dukuri sociale, shumë të përhapura në shoqërinë shqiptare, e cila njihet edhe për “karakterin patriarkal dhe kolektiv” në të njëjtën kohë.

Halilaj thotë se “i theksoj këto të dyja, pasi shumica e stereotipave krijohen që në familje apo në grupet e vogla, ku individi bën pjesë (shkolla, komuniteti)”.

Në vijim, psikologia tregon se ato mund të transmetohen nga një brez te tjetri. Kjo, nëpërmjet modeleve të sjelljes, imponimit të normave sociale, marrëdhënieve të varësisë etj.

Sa i përket shoqërisë shqiptare, thekson ajo, kemi të bëjmë me “një miks të të gjitha formave të stereotipave”.

Çfarë është një stereotip dhe pse i përdorim ato?

Një stereotip është një mendim, nocion, imazh ose ide e përgjithësuar, e pranuar gjerësisht, mbi një person, vend ose send. Me pak fjalë, është një “keqkuptim” i zakonshëm, që lidhet me tipare të individëve ose grupeve.

Sipas “Thjesht Psikologjisë”, ne përdorim stereotipa për të thjeshtuar botën tonë shoqërore dhe për të zvogëluar sasinë e përpunimit (d.m.th. “të menduarit”) që duhet të bëjmë kur takojmë një person të ri, duke i kategorizuar ata nën një “shënues të paramenduar” të atributeve, tipareve ose qëndrimeve të ngjashme.

Ndër të tjera, për AP-në, psikologia Lenida Halilaj shpjegon se “në shoqëri patriarkale si e jona, stereotipat gjinorë janë prezentë në pjesën më të madhe të familjeve”.

Kjo, thotë psikologia, vjen që në krijimin e modelit të një familjeje në formë piramide, ku kryefamiljari është “burri”, ai që merr vendimet për të gjithë pjesëtarët e familjes.

Stereotipat gjinorë në Shqipëri

Halilaj shpjegon se “babai shikohet si personi që siguron të ardhurat, ndërkohë që nëna si shtëpiake”.

Në këtë mënyrë, sipas saj, burrat priren të jenë më të ashpër, nuk shprehin shumë emocion dhe janë të dhënë pas pushtetit dhe parasë.

Nga ana tjetër, vajzave, sipas psikologes, iu atribuohen sjellje të brishta, instinkti mëmësor, përkujdesja në çdo veprim që bën dhe kategorizimi i “ndershmërisë” së saj në varësi të zgjedhjeve romantike që bën në jetë.

Problematikat e këtij lloji stereotipi

Në shoqërinë tonë patriarkale, këto stereotipa gjinorë, sipas psikologes, kanë shkaktuar shpeshherë problematika në familje, si: dhunë, martesa të hershme për vajzat, mohim i shkollimit, pasi vajzat dhe gratë shikohen si “pronë”, fillimisht nga familja (babai) e më pas nga bashkëshorti.

“Fati i një vajze”, shpeshherë, “vendoset nga një burrë në jetën e saj, duke mos i lënë hapësirë të bëjë zgjedhjet që dëshiron”.

Megjithatë, thekson Halilaj, ndonëse “këto raste nuk përfaqësojnë të gjithë popullsinë, mendoj se të paktën 60% e familjeve shqiptare i ndërtojnë marrëdhëniet në bazë të stereotipave gjinore”.

Stereotipat gjinorë nuk prekin vetëm vajzat

Pavarësisht se janë pak më të ashpra me vajzat, stereotipat gjinorë prekin edhe djemtë.

Vazhdimisht, thotë psikologia, “ata presionohen për të qenë të suksesshëm, të pasur, të fortë fizikisht, dominantë në marrëdhënie, ndoshta edhe të dhunshëm herë pas here”.

Kjo i vë edhe ata vetë në pozitë të pafavorshme. Pasi, pavarësisht pozicionit dominant që i jepet nga shoqëria që në lindje, shprehet Halilaj, jo të gjithë djemtë e burrat kanë dëshirë të demonstrojnë sjellje të tilla, që i përforcon vazhdimisht shoqëria.

Shoqëria i rrit djemtë dhe vajzat me dy standarde të ndryshme. Pra, thekson psikologia, duke përkëdhelur vajzat si qenie të brishta, por duke i “robëruar” në të ardhmen, ndërsa djemtë duke i bërë “burra” që në lodrat që i blejnë, duke i kultivuar forcën dhe dominancën që në fëmijëri.

“Një fëmijë i mësuar me norma të tilla sociale që në fëmijëri, e ka shumë të vështirë të ndryshojë në një stad të caktuar të jetës, pasi nuk di të formojë një opinion ndryshe nga ai që i është ushqyer gjatë gjithë jetës”, thotë ajo.

“Nga ana tjetër, vajzave u përcaktohet cikli i saj jetësor që në lindje, ku qëllimi i saj madhor është krijimi i një familjeje, lindja e fëmijëve dhe mbajta e marrëdhënies pozitive me bashkëshortin, pavarësisht formës sesi ai mund të sillet”.

Stereotipa të statusit social

Sipas Halilajt, stereotipat e statusit social, diferencohen në bazë të pozicionit të punës apo arritjeve akademike. Në shumë kompani vërehen stereotipat që në njoftime pune, ku për pozicione të tilla, si: edukator/e, mësues/e, shitës/e, kërkohen vajza, pasi të tilla profesione cilësohen të përshtatshme vetëm për to.

Nga ana tjetër, “për pozicione pune si në fushën e inxhinierisë, menaxhimit, IT-së, pritshmëritë janë për punonjës meshkuj”, përmbyll ajo.

Stereotipa, lidhur me arritjet akademike dhe prirjet që kanë studentët

Psikologët shpjegojnë se ekzistojnë edhe stereotipa që kanë lidhje me arritjet akademike.

Kështu, vajzat janë më të prira për lëndët shoqërore, ndërsa djemtë për ato shkencore, por që përgjithësisht cilësohen si më përtacë për të mësuar, ndërsa vajzat janë më të disiplinuara dhe mund të jenë më të rehatshme për të punuar.

Kjo i nxit shumë organizata që të duan të punësojnë vajza për të bërë punë varësie, ndërsa djemtë për të marrë pozicione drejtuese, me pagë me të lartë, pasi djemtë kanë më shumë përgjegjësi (duhet të sigurojnë të ardhurat), kanë aftësi më të lartë vendimmarrje, ndërkohë që vajzat mendohet se mjaftohen me një pagë më të ulët dhe përgjegjësi minimale.

Stereotipa të tillë, thonë psikologët, ndikojnë në modelet e sjelljeve që ne u mësojmë fëmijëve, pasi riprodhojmë pabarazi gjinore, theksim të diferencave në nivelin e të ardhurave.

Në këtë mënyrë ndërtohen vazhdimisht marrëdhënie të padrejta, që shpeshherë cenojnë identitetin e personalitetin e personave që shoqëria i percepton si “inferiorë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore