Shqipëria

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, letër-ankesë për retorikën e përdorur nga kryeministri


Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Av. Ardjan Hysa, i ka dërguar një letër-ankesë për retorikën politike të përdorur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashit, presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, Kreut të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca dhe disa të tjerëve.

Kjo shoqatë përfaqëson mbi 13 mijë e 500 familje të qytetarëve të verbër.

Ai e ka quajtur terminologjinë e përdorur nga Rama si të papërshtatshme, denigruese dhe fyese ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuar, konkretisht për qytetarët e verbër dhe ata që nuk dëgjojnë e nuk flasin.

Sipas avokatit Hysa, nuk është hera e parë që kryeministri përdorë një gjuhë të tillë komunikimi, e cila sipas tyre përmban terma “pexhorativ” ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuar.

Në letër gjithashtu shkruhet se mënyra e komunikimit të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ka hasur në kundërshtimin e fortë  të Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar në Observacionet përfundimtare për Raportin fillestarë të Shqipërisë.

Komiteti, me përfaqësues Hysen ka rekomanduar që Shteti Palë të sigurojë që përdorimi i të gjithë gjuhës poshtëruese në lidhje me personat me aftësi të kufizuara të eliminohet nga të gjitha legjislacionet, dokumentet dhe diskutimet publike.

“Përdorimi i krahasimeve diskriminuese nuk ngelet më në kontekst figurative, por real dhe të drejtë për drejtë dhe dëmton direkt luftën e bërë prej 30 vitesh nga qytetarët me aftësi të kufizuar për të qenë të barabartë në shoqëri dhe jo të diskriminuar”, vazhdohet më tej në letër.

Bashkëngjitur shkresës, Shoqata e të verbërve ka shpërndarë edhe linkun e takimit të kryeministrit Edi Rama, në Shirokë, Shkodër, minutazhi 19-25.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore