Lajme

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, kategorikisht kundër mbylljes 12 ditore


Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka deklaruar se e kundërshton paralajmërimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës, për mbyllje totale të vendit për 12 ditë në kuadër të gastronomisë dhe qendrave tregtare në vend.

Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Veton Zuka, ka thënë për Albanian Post, së ata kundërshtojnë këtë paralajmërim të bërë nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Qëndrimi i ShGK, është kategorikisht kundërshtues, jo për 12 ditë, por edhe për 12 orë, për arsye se gastronomia nuk ka më fuqi ta përballojë as edhe një mbyllje të vetme”, ka thënë Zuka.

Zuka, ka etiketuar fushatat zgjedhore të partive politike si faktori kryesor i rritjes së numrit të të infektuarëve me coronavirus.

“Fushatat zgjedhore po del të kenë qenë dhe është fajtori kryesor për shpërndarje të virusit. Ne kemi qenë duke punuar me orar të shkurtuar si para, ashtu edhe gjatë fushatës, atëherë numrat e të infektuarëve kanë qenë shumë më të vogël, po ashtu edhe gjendja në spitale ka shumë qenë më e mirë. Gastronomia nuk është fajtore dhe nuk meriton mbyllje”, ka thënë ai.

Mes tjerash, përfaqësuesi i ShGK, ka treguar edhe rreth idesë që kjo shoqatë e sheh si ideale për stabilizim të gjendjes në raport me pandeminë.

“Ideja është që të vazhdohet puna, por me masa më rigoroze. Të kontrollohen lokalet dhe bizneset, e të dënohen kush nuk i përmbahet rregullave. Përndryshe, mbyllje nuk pranojmë”, tha ai.

Në ndërkohe pritet të mbahet një mbledhje e Këshillit Drejtues, ku do të vendosin se si do të vazhdojnë tutje.

“ Në mbledhje do të diskutohet për mënyrën e kundërshtimit të masave, dhe veprimeve e mëtutjeshme të gastronomëve”, ka përfunduar Zuka, duke mos zbuluar detaje më të hollësishme rreth asaj se çka saktësisht do të flitet në këtë mbledhje të shoqatës.

Kujtojmë se për mos respektimin e masave anti COVID-19 gjatë fushatës zgjedhore, Kosova morri kritika edhe nga Ambasada e Britanisë së Madhe.

“Me miqtë dhe familjet tona në Britani të Madhe përsëri nën izolim, e dimë shumë mirë se kjo pandemi nuk ka përfunduar dhe se nuk duam të shohim të njëjtën gjendje përsëri për miqtë tanë në Kosovë. Këto zgjedhje janë të rëndësishme, por disa nga fotografitë që kemi parë të tubimeve dhe takimeve të mëdha pa distancim social janë shqetësuese”, pati shkruar Ambasada Britanike në faqen e saj në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore