Shqipëria

“Shkrirja” e Akademisë së Studimeve Albanologjike kthehet në çështje


Mbyllja e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) është kthyer në një çështje 24 orët e fundit duke sjellë edhe reagimin e senatit të institucionit të albanologjisë në Shqipëri.

Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për mbylljen e ASA-s duke i kaluar asetet e këtij institucioni nën përgjegjësinë e Akademisë së Shkencave.

Sipas projektvendimit të publikuar në media, aty vërehet se të gjitha institutet në varësi të Akademisë së Studimeve Albanologjike do të shkrihen.

Ato do t’i bashkëngjiten Akademisë së Shkencave, e cila merr po ashtu të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.

Pra, njësitë kryesore ekzistuese si Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, do të riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave, brenda këtij viti.

Lidhur me këtë zhvillim të fundit Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike u mblodh me urgjencë duke dalë me një qëndrim zyrtar për mediat.

ASA theksoi fillimisht se me mbylljen e veprimtarisë së akademisë shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri.

Kjo, duke krijuar “precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar” të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.

Përfaqësuesit e institucionit vunë re se vetëm Senati i ASA-s, duhet të shprehet për fatin juridik të Akademisë.

“Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë”, shton reagimi zyrtar i Akademisë.

Mes rreshtash lexohet se mbyllja e ASA-s “i kthen institutet në njësi kërkimore” apo vendoset “nën kontrollin krejtësisht të Akademisë së Shkencave të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë”.

Në përmbyllje, Akademia kujton se ky projektvendim ndërpret karrierën e afro 100 studiuesve.

Kjo, pasi Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në këtë institucion.

“Sa më sipër, konstatojmë se ky Projektvendim shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe vetë Ligjin për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019. Shkel parimet e lirisë akademike, shkakton një akt të rëndë antikombëtar duke shuar Akademinë e Studimeve Albanologjike e bashkë me to dhe institutet pjesë përbërëse të saj”, ravijëzon në përmbyllje ASA.

Kujtojmë që, Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në mars të vitit 2008 në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish-Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore