Lajme

Shkolla sekrete e vajzave afgane që sfidojnë talebanët


Është e fshehur në një nga provincat e Afganistanit.

Është një nga shkollat e reja “të fshehta”, që përbëjnë një akt të vogël, por të fuqishëm kundër talebanëve.

Thuajse një duzinë vajzash adoleshente e ndjekin klasën e matematikës.

“I dimë kërcënimet dhe shqetësohemi për to”, ka thënë mësuesja e vetme atje.

Ama ajo është e mendimit se shkollimi i tyre ia vlen paçka “çdo rreziku”.

Në shumicën e provincave, shkollat e mesme janë urdhëruar nga talebanët që të mbyllen.

Por ka nga ato raste, ku është bërë një punë mbresëlënëse, në përpjekje për të imituar klasën tipike me tavolinat e rreshtuara në mënyrë të rregullt.

“Bëjmë çmos për ta mbajtur të fshehtë. Por edhe nëse më arrestojnë, ia vlen”, ka thënë mësuesja.

Në mars, dukej sikur shkollat e vajzave do të rihapeshin. Vetëm një orë pasi nxënësit e rinisën mësimin, udhëheqja talebane njoftoi një ndryshim të papritur.

Për nxënësit e shkollës sekrete dhe për shumë vajza të tjera adoleshente, dhimbja nuk është tejkaluar ende.

“Kanë kaluar dy muaj dhe shkollat ende nuk janë rihapur”, ka treguar një 19-vjeçare, e cila i përket klasës së improvizuar.

“Kjo na trishton”, ka vijuar ajo, duke mbuluar me duar sytë për të ndalur lotët.

Një tjetër nxënëse 15-vjeçare dëshiron t’ju përçojë një mesazh vajzave të tjera afgane, duke iu thënë “jini të guximshme, se kështu askush nuk mund t’ju ndalojë”.

Nën kontrollin e talebanëve, shkollat fillore për vajza janë rihapur dhe kanë pasur rritje të frekuentimit pas përmirësimit të sigurisë në pjesët rurale të vendit.

Por nuk është e qartë se kur do të lejohen të kthehen në klasa vajzat më të rritura, ose nëse do të munden të kthehen.

Në publik, zyrtarët talebanë kanë këmbëngulur vazhdimisht se shkollat e vajzave do të rihapen.

Nga ana tjetër, kanë pranuar se arsimimi i grave është një çështje “e ndjeshme” për ta.

Gjatë qëndrimit të tyre të mëparshëm në pushtet në vitet 1990, të gjitha vajzat u penguan të shkonin në shkollë, gjoja për shkak të “shqetësimeve të sigurisë”.

Tani, një pjesë e vogël e individëve të linjës së ashpër, por me shumë ndikim në grup, duket se janë akoma kundër.

Kurse anëtarë të tjerë talebanë kanë shprehur zhgënjimin ndaj vendimit për të mos hapur shkollat e vajzave.

Ministria talebane e Arsimit është dukur po aq e befasuar sa kushdo tjetër kur udhëheqja hodhi poshtë planet në mars. Disa zyrtarë të lartë talebanë mendohet se i arsimonin vajzat e veta në Katar ose Pakistan.

Javët e fundit, një sërë dijetarësh fetarë me lidhje me talebanët kanë nxjerrë fetva që mbështesin të drejtën e vajzave për të mësuar.

Kleriku afgan, Rahimullah Haqqani, gëzon respekt në radhët e talebanëve. Muajin e kaluar, në një udhëtim në Kabul, u takua me figura të larta të qeverisë së tyre.

Ai tregohet i kujdesshëm për të mos kritikuar mbylljen e shkollave, por…

“Nuk ka asnjë justifikim në sheriat për të thënë se arsimimi i grave nuk lejohet. Asnjë justifikim s’ka”, ka thënë.

“Të gjithë librat e shenjtë thonë se edukimi i vajzave është i lejueshëm dhe i detyrueshëm, sepse nëse një grua sëmuret në një mjedis islamik si Afganistani apo Pakistani dhe ka nevojë për trajtim, është shumë më mirë të trajtohet nga një mjeke”, ka shtuar.

Fetva të ngjashme janë lëshuar nga klerikët në provincat Herat dhe Paktia në Afganistan.

Është një simbol se sa e përhapur është mbështetja për arsimimin e vajzave në vend, madje edhe në qarqet konservatore. Ama nuk është e qartë se sa ndikim do të ketë.

Gushtin e kaluar, kur talebanët morën pushtetin, ata adoptuan një qëndrim më fleksibël.

Në të kundërt, kohët e fundit kanë nxjerrë gjithnjë e më shumë dekrete të linjës së ashpër, duke përfshirë bërjen e detyrueshme të mbulesës së fytyrës për gratë dhe inkurajimin e tyre që të qëndrojnë në shtëpi.

Ndërkohë, toleranca e tyre ndaj disidencës, qoftë edhe në radhët e tyre, po zhduket.

Një anëtar taleban me një numër të madh ndjekësish në mediat sociale, ka qenë kritik në Twitter për mbylljen e shkollave të vajzave, si dhe rregullave të reja që urdhëronin punonjësit e qeverisë të rrisnin mjekrën.

Ai u thirr për t’u marrë në pyetje nga Departamenti Taleban i Inteligjencës dhe më vonë i ka fshirë postimet në Twitter, duke kërkuar falje për komentet e tij të mëparshme.

Në bazë duket se ka fare pak kundërshtime për arsimimin e vajzave në Afganistan.

Megjithatë, disa figura talebane kanë shqetësime për grupin e Shtetit Islamik që mund ta përdorë këtë çështje si një mjet rekrutimi, nëse shkollat e vajzave rihapen.

Në anën tjetër, zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se përparimi në të drejtat e grave është thelbësor për talebanët që të jenë në gjendje të kenë akses në disa prej miliarda dollarëve të rezervave valutore që janë ngrirë.

Ndërkohë, aktivistet afgane për të drejtat e grave përpiqen të sigurojnë që një brez i vajzave të mos lihet pas. Ngjashëm si në shkollën sekrete, në të cilën zhvillohet një ose dy orë mësim në ditë me fokus në matematikë, biologji, kimi dhe fizikë.

Mësuesja përgjegjëse e di se ka shumë vajza të tjera që do të donin të merrnin pjesë, por ato janë të kufizuara nga mungesa e hapësirës dhe burimeve.

Për më tepër, ajo nuk ka shpresë për rihapjen e shkollave në një afat të shkurtër. Gjithsesi është e vendosur të bëjë atë që mundet.

“Si një grua e arsimuar, kjo është detyra ime. Arsimi mund të na nxjerrë nga kjo errësirë”, ka përmbyllur ajo.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore