Lajme

Shkolla në Uvalde ku u vranë 21 persona do të shembet, thotë kryebashkiaku


Shkolla fillore në Teksas, ku një i ri i armatosur vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur,  do të shembet, sipas kryebashkiakut.

Don McLaughlin, në një mbledhje të këshillit në Uvalde, të martën tha se ishte “mirëkuptimi” i tij që shkolla fillore “Robb” të shembej dhe një shkollë e re të zinte vendin e saj për gati 600 nxënësit pas tragjedisë në maj.

“Për mendimin tim, diskutim të cilin e kam pasur edhe me mbikëqyrësin e distriktit shkollor, shkolla të prishet. Nuk mund t’i kërkosh një fëmije apo një mësuesi të kthehet në atë shkollë”, shtoi kryebashkiaku McLaughlin.

E njëjta gjë ndodhi edhe në shkollën në Sandy Hook, Connecticut, ku 26 njerëz u vranë në një sulm masiv në vitin 2012.

Ajo u shkatërrua dhe një shkollë e re u ndërtua në vendin e saj.

Komentet e kryebashkiakut erdhën mes zemërimit në rritje të publikut për reagimin e policisë ndaj të shtënave të 25 majit dhe sesi oficerët e armatosur rëndë pritën për 70 minuta, pasi arritën në shkollë përpara se të ndërhynin në klasën ku po qëndronte vrasësi.

Duke folur në një seancë shtetërore që heton incidentin, Steve McCraw, shefi i sigurisë publike në Teksas, e quajti përgjigjen e policisë “një dështim të tmerrshëm dhe në kundështim me gjithçka” që dihet se si t’u përgjigjemi krizave të tilla.

McCraw tha se, shefi i policisë lokale, Pedro “Pete” Arredondo, i cili ishte komandanti në vendngjarje, i pengoi oficerët e tjerë të ndalonin më shpejt sulmuesin dhe të kufizonin potencialisht masakrën.

Arredondo “zgjodhi të vendoste jetën e oficerëve mbi jetën e fëmijëve”, tha McCraw.

“Oficerët kishin armë – fëmijët nuk kishin. Oficerët kishin armaturë trupore – fëmijët nuk kishin asnjë. Oficerët ishin të trajnuar – subjekti nuk ishte”.

Shpërthimi i zemërimit për masakrën e Uvaldes, së bashku me zemërimin për vrasjen e 10 njerëzve me ngjyrë, me motive racore në Buffalo, Nju Jork 10 ditë më parë, ka çuar në një shtysë tjetër për një lloj legjislacioni federal për kontrollin e armëve.

Të martën, senatorët amerikanë njoftuan një marrëveshje për një projektligj për dhunën me armë, sipas të cilit kontrollet e historisë për blerësit më të rinj të armëve të zjarrit, do të ashpërsoheshin dhe do të kërkonte më shumë shitës të kryejnë kontrolle të historisë dhe do të rrisin ndëshkimet për trafikantët e armëve.

Ai, gjithashtu, do të shpërndante para për shtetet dhe komunitetet që synojnë përmirësimin e sigurisë së shkollave dhe iniciativave për shëndetin mendor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore