Shqipëria

Shkodra nën ujë


Shkodra është qyteti që po përjeton një nga situatat më problematike të përmbytjeve. Aktualisht më datë 15 shkurt, në këtë qytet raportohen 4 mijë e 700 hektarë tokë të përmbytura.

Nga biseda telefonike me Këshilltarin për Mediat në Bashkinë e Shkodrës, Blerti Delija, u deklarua për Albanian Post se zonat më të prekura nga përmbytjet në këtë qark janë Njësia Administrative Ana e Malit dhe Dajç.

Sipërfaqja e përmbytur në Njësinë Administrative Ana e Malit arrin në 1 mijë e 250 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në Dajç sipërfaqja e tokave të përmbytura arrin deri në 1 mijë e 800 hektarë.

“Prioritet është furnizimi me bazë ushqimore i gjësë së gjallë. Për herë të parë Bashkia Shkodër ka përdorur fondet e veta për bazë ushqimore, pasi nuk është përgjigjur Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Emergjencave civile”.

“Në zona ku ka probleme me ujin e pijshëm, ai sigurohet i ambalazhuar ose shpërndahet nga Ujësjellës Kanalizime Shkodër (UKSH). Kur ka nevojë për ushqime, bashkia ndan pako ushqimore”, deklaroi për AP Delija.

Në krahun tjetër, Agjencia e Emergjencave Civile, tha për Albanian Post se vetëm më 15 shkurt janë nisur 800 pako ushqimore, 200 prej të cilave në Vaun e Dejës, ndërsa pakot e tjera janë shpërndarë në Mirditë, Kurbin, Lezhë. Po ashtu Agjencia e Emergjencave Civile deklaroi se në fillim është siguruar edhe ushqimi për gjënë e gjallë.

Situata mbetet për t’u parë, pasi Shkodra vazhdon të jetë akoma nën ujë.

Pedonalja e Molos

Nga një vizitë e gazetarit të Albanian Post, më 14 shkurt, u bë me dije se përmbytja kishte prekur edhe pedonalen e Molos, pedonalen në hyrje të këtij qyteti. Lartësia e ujit në pjesë të ndryshme të pedonales arrin nga 10 deri në 15 centimetra.

Tërheqja e ujit në disa vende kishte lënë pas mbeturina dhe inerte në krah të shëtitores. I pyetur nëse ka ndonjë zgjidhje të paktën për mospërmbytjen e kësaj pedonaleje, Këshilltari për Mediat, Blerti Delija, raportoi se zgjidhja nuk mund të bëhet vetëm për Pedonalen e Molos, por duhet një projekt gjithëpërfshirës.

“Pedonalja e Molos përmbytet kur rritet niveli i liqenit. Ai rritet kur rruga e lumit Buna, pengohet nga prurjet e mëdha të lumit Drin, si pasojë e shkarkimeve nga HEC.

Zgjidhja nuk mund të bëhet vetëm për Pedonalen e Molos, por duhet një projekt gjithëpërfshirës për zonën e Nënshkodrës. Në kushtet aktuale, duhet dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga shkarkimet e HEC-ve”, sqaroi Delija.

Shkodër, 2021 Photo: Majk Mila

Nga komunikimi me një banor të fshatit Obot me iniciale P.N, u bë e ditur për Albanian Post se banorët e kësaj zone kanë më shumë se një muaj të rrethuar nga uji.

Banori pohoi për Albanian Post se lëvizja kryhet vetëm përmes varkave. Apeli i banorëve konsiston te ushqimi për bagëtinë. Banorët thonë se mosfunksionimi i sistemit të kullimit është ndër arsyet kryesore të përmbytjeve të shpeshta.

Ekspertët

Sipas ekspertëve, përmbytjet e vitit 2010-të kanë shënuar rekordin historik në Shkodër. Në këtë qark u raportuan më shumë se 14 mijë hektarë tokë të përmbytura, rreth 8 mijë e 500 banesa të përmbytura ose të rrethuara nga uji, qindra biznese të shkatërruara dhe mbi 20 mijë persona të evakuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore