Sport

Shkodra, krenaria e vërtetë e sportit shqiptar


Shkodra, qyteti i kulturës, biçikletave dhe djepi i futbollit, është nga të paktat qytete shqiptare, së bashku me Tiranën, që është kaq shumë e dhënë dhe “prodhon” kaq shumë talente në sport.

Duket se në botën e sportit epiteti “djepi i futbollit” ka eklipsuar sportet e tjera që luhen masivisht në Shkodër. Sot, fokusi i Albanian Post (AP) do të jetë pikërisht te një nga këto sporte: atletika.

Ndonëse një sport që nuk njihet aq sa futbolli në Shqipëri, nuk pëlqehet nga tifozët aq shumë sa futbolli, realisht flamurin kuq e zi atletika e ka ngritur më lart se çdo sport tjetër.

 

Pak ditë më parë, shkodrani Izmir Smajlaj fitoi dy medalje ari, një në Kompionatin Ballkanik e, më pas, një tjetër në Mitingun Ndërkombëtar të Serbisë. Në këtë të fundit ishte edhe shkodrani tjetër, Franko Burraj, i cili fitoi medalje argjendi në garën e 400m, që për vetëm 0.06 sekonda doli në vend të dytë.

A përfundon këtu? Sigurisht që jo.

Vllaznia e Shkodrës ka dhe shumë atletë të tjerë, si Heldi Valikaj, që në 2020 u shpall kampion Ballkani për 20-vjeçarët në kampionatin e mbajtur në Turqi.

Erisa Rrasa gjithashtu garoi në kampionatin e zhvilluar në Turqi, duke u renditur e treta dhe rrëmbyer medaljen e argjendtë. Sigurisht që as këtu nuk mbarojnë atletët shkodranë dhe ka shumë të tjerë të grupmoshave të ndryshme.

Por, ndonëse atletika ka dhënë shumë për të ngritur lart flamurin e Shqipërisë, Shqipëria nuk ka dhënë aq sa duhet për atletikën.

Janë të shumtë ata që e kanë dashur këtë sport, që e kanë praktikuar e që i kanë mbajtur me krenari ngjyrat kuq e zi përkrah flamujve të tjerë, në garat ndërkombëtare. Ashtu siç janë të shumtë edhe ata atletë që janë larguar nga ky sport për shkak të mundësive dhe kushteve që u janë ofruar.

AP do të sjellë dy nga shumë rastet e atletëve shkodranë, që janë ndier të detyruar ta braktisin këtë disiplinë sportive, për shkak të kushteve që u janë ofruar. Se cilat kanë qenë këto kushte, do t’i paraqesim në intervistën e dhënë për AP nga Elmedina Oruçi dhe Suad Bashku.

 

Oruçi ka qenë pjesë e skuadrave të atletikës së Vllaznisë dhe Tiranës, si dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në disa Kampionate Ballkanike në Turqi, Greqi, Rumani, Bullgari, si dhe në disa mitingje në Malin e Zi.

“Pse e lashë sportin, ka disa arsye. Më kryesorja është se, duke parë që nuk ka kushte infrastrukturore ku të stërvitesh, nuk investohet për sport aq sa duhet dhe aq sa sporti e meriton, rrjedhimisht nuk e shihja si një të ardhme për veten time dhe zgjodha një rrugë tjetër”.

“Një arsye tjetër është ana financiare. Në sportin që unë kam bërë, investimi ishte personal nga sportistët për rroba, atlete, dieta ushqimore, udhëtime kombëtare dhe ka qenë gjithmonë më i madh se sa fitimi që një sportist kishte edhe në bazë të rezultateve”.

“Por duke pasur kushte jo të favorshme stërvitore, medoemos do të ishin të rrallë ata që do të kishin një rezultat të mirë në fund”, përfundoi Oruçi.

Bashku është ish-atleti tjetër i Vllaznisë, i cili ashtu si Oruçi e ka përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatet Ballkanike, të përmendura më sipër, por edhe në Kampionatin Olimpik të të Rinjve në Holandë dhe Kinë.

Bashku përmendi pothuajse të njëjtat arsye, ato ekonomike qenë kryesoret që kanë sjellë largimin e këtij të fundit nga atletika.

“Arsyet kryesore janë ato ekonomike. Pastaj janë kushtet stërvitore, ambientet sportive, pajisjet stërvitore dhe mungesa e stafit”.

“Pagesat e çdo seance fizioterapie apo mjekësore në raste dëmtimesh apo përgatitje për kompeticione, pagesat për suplementet e nevojshme, për rritjen e kondicionit fizik dhe përballimin e ngarkesave stërvitore, nuk jepeshin. Dietat ishin ose të vonuara, ose mungonin fare”.

“Mosorganizim për pjesëmarrje në kompeticione jashtë qytetit. Organizimi ishte individual dhe me buxhet personal. Rrogat ishin shumë të ulëta, sa nuk mbulonin as minimumin e nevojave të një sportisti”, tha Bashku.

Shqipëria nuk vlerëson aq sa duhet talentet dhe kjo tashmë është e dukshme. Më herët kemi sjellë rastet e talenteve të humbura të futbollit, tani të atletikës dhe normalisht që nuk ndalet këtu, mosvlerësimi dhe djegia e talenteve të sportit, në shumë disiplina të ndryshme.

Edhe sa talente duhet të shkojnë dëm, për të ardhur ndryshimi, mbetet për t’u parë …

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore