Art&dizajn

Shkodër, më 25 dhjetor Galeria Oda hap ekspozitë fotografike me 28 autorë


Galeria ‘Oda’ në Shkodër po bëhet gati të hapë më 25 dhjetor ekspozitën kolektive ‘Vita Via Est’ që bën bashkë 28 fotografë shqiptarë.
Ideatore dhe kuratore e ekspozitës është Rozafa Shpuza, drejtuesja e Galerisë “Oda”, njëkohësh fotografe dhe poete prej vitesh. Ajo vendosi, pasi i ra zjarri shtëpisë së saj, t’a kthente atë pjesërisht në galeri private, duke rizgjuar nga gërmadhat e shtëpisë shkodrane ëndrrën e saj të kahershme, të jetë mikpritëse dhe faktor zhvillimi për artin e dritëshkronjës, pikërisht në qytetin e dinastisë Marubi, në Shkodër.
Sabina Darova në komunikim e shkruar për Galerinë Oda e quan “një festë e fotografisë” dhe “kurorëzim i udhës njëvjeçare të një strehe akoma të brishtë të artit fotografik”, e cila hap dyert “për të pritur shtegtarë me botë të madhe”, që “fiksojnë momente të jetës” që pak jemi ndalur të sodisim “gjatë këtij viti të mbrapshtë” siç e quan kuratorja Rozafa në një intervistë.

Titulli i ekspozitës, “Jeta është udha” do të thotë në latinisht, duket akoma më i vërtetë kur lexon emrat e fotografëve dhe vendet ku ata jetojnë: 28 shqiptarë që jetojnë në disa vende të botës.

Përveçse në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, edhe në Serbi, Itali, Gjermani, Zvicër, Francë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artistët e kësaj ekspozite janë: Dali Alili, Ernest Baba, Adnan Beci, Roland Beqiraj, Denisa Brahimi, Mario Calivà, Xheni Çuni, Osman Demiri, Mariposa Fa, Ardian Fezollari, Eduart Gjino, Henor Haliti, Krenar Halimi, Arton Humolli, Dash Izairi, Erald Kraja, Arben Llapashtica, Armando Meta,  Alketa Misja, Orjeta Myzeqari, Olsi Qazimi,  Vasil Qesari,  Hazir Reka, Denada Rushiti, Fahredin Spahija, Eva Sula, Genti Shkullaku dhe Rozafa Shpuza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore