Shqipëria

Shkodër/ Mashtronin shtetasit e huaj: Procedohen 36 persona, nga të cilët 7 të arrestuar dhe 4 në kërkim


Policia e Shkodrës ka arrestuar shtatë persona, ka shpallur në kërkim katër shtetas dhe ka proceduar 25 të tjerë në gjendje të lirë, të dyshuar për aktivitet në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Sipas njoftimit të policisë, procedimet e mësipërme kanë ardhur si rezultat i dy operacione policore, të koduara “North Forex 2” dhe “North Forex 3”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik në ambientet e Call Center-ave.

Ky aktivitet kriminal konsiston në mashtrimet kompjuterike, nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme kompjuterike, si 1FTD (first time depozite), Vicidal, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian.

Operatorët e këtyre subjekteve telefononin shtetas të ndryshëm, kryesisht të huaj, me qëllim që t’i bindnin për të investuar shuma të ndryshme parash në platformat e lartpërmendura, njofton Policia.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “North Forex 2” dhe “North Forex 3” u arrestuan në flagrancë shtetasit A. D., administrator i subjektit call center, S. Ç., I. T., A. S. dhe M. Sh., drejtues grupi në këtë subjekt.

Gjithashtu u arrestuan edhe shtetasit M. Z. dhe E. H., drejtues grupi në subjektin tjetër Call Center.

Në kërkim u shpallën shtetasit E. E., administratore e këtij subjekti, E. D., A. Rr. dhe A. Rr., të dyshuar si organizatorë të veprimtarisë kriminale të këtij subjekti, që ushtrohej në një filial, në Tiranë.

Në përfundim të njoftimit, bëhet me dije se janë sekuestruar pesë pajisje kompjuterike dhe lista me të dhënat e shtetasve që dyshohet se janë mashtruar nga punonjësit e këtyre subjekteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore