Muzikë

Shkëputja e Mbretit Charles III nga e kaluara, këngëtarë LGBTQ+ në ceremoninë e kurorëzimit


Për ceremoninë e kurorëzimit më 6 maj, Buckingham Palace ka ftuar edhe grupe muzikore të komunitetit LGBTQ+.

Një mënyrë kjo, për të demonstruar se mbreti Charles III di të jetë rojtari i traditës pa injoruar çështjen e të drejtave të reja.

“Ceremonia do të drejtohet nga Kryepeshkopi i Canterbury-t. Siç u njoftua më parë, ceremonia do të pasqyrojë rolin e monarkut sot dhe do të shikojë nga e ardhmja, duke mbetur e rrënjosur në traditat dhe spektaklet e vjetra”, shkruhet në njoftimin e Buckingham Palace.

Sipas tyre, do të jetë një “shërbim fetar solemn, si dhe një rast për festë dhe pompozitet”.

Pas shërbimit, Madhëritë e Tyre do të kthehen në Buckingham Palace në një moment më të madh ceremonial të njohur si “Procesi i Kurorëzimit”.

Kësaj ceremonie do t’i bashkohen edhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore.

Në Buckingham Palace, Mbreti dhe bashkëshortja e tij, të shoqëruar nga anëtarët e familjes mbretërore, do të shfaqen në ballkon për të përfunduar ngjarjet ceremoniale të ditës.

Dhe pas ditës së kurorëzimit, festimet do të vazhdojnë gjatë gjithë fundjavës.

“Do të ketë raste të tjera që ne të mblidhemi për të shënuar këtë rast historik. Të dielën, më 7 maj 2023, një koncert special kurorëzimi do të organizohet dhe transmetohet drejtpërdrejt në Kështjellën Windsor”, ka vijuar njoftimi.

Duke shfaqur “ikona të muzikës globale dhe yje bashkëkohorë”, koncerti do të shohë “një orkestër të klasit botëror të luajë interpretime të numrave muzikorë të preferuar që paraqesin disa nga artistët më të mëdhenj të botës, së bashku me artistë nga bota e kërcimit”.

Po ashtu një kor është krijuar gjithashtu për të shënuar këtë rast, një grup i përzier i nxjerrë nga koret më të pasionuara të komunitetit dhe këngëtarët amatorë nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar, si grupet muzikore LGBTQ+.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore