Lajme

Shkëmbi Scala dei Turchi mbulohet me oksid hekuri të kuq, nisin hetimet


Në Itali është hapur një hetim, pas vandalizmit të një prej atraksioneve turistike më të vizituara në Sicili, shkëmbi gëlqeror Scala dei Turchi (Shkallët e Turqve).

Shkëmbi, i cili ka formën e një shkalle të madhe dhe përbëhet nga gurë gëlqerorë të bardhë e të butë, mbrëmjen e 7 janarit, u gjet i mbuluar me pluhur në ngjyrë të kuqe.

Nga hetimet paraprake u konstatua se mbi shkëmb mendohet që të jetë hedhur oksid hekuri i kuq.

Sipas presidentit të Sicilisë, Nello Musumeci, ky gjest përbën një zemërim jo vetëm për një pasuri me bukuri të rrallë, por edhe për imazhin e ishullit.

Shkëmbi gëlqeror “Scala dei Turchi”, pikë turistike në Sicili

Pjesa e poshtme e shkëmbit është “larë” pjesërisht nga deti. Fatmirësisht është material, i cili hiqet mjaft lehtë. Një grup vullnetarësh kanë dalë për të pastruar pjesën e mbetur.

Kryeprokurori i Agrigento-s, Luigi Patronaggio, ka shpjeguar se tashmë ka nisur një hetim.

“Ne po gjurmojmë shitjet e fundit të pluhurit të kuq në zonë. Kjo mund të na çojë drejt blerësve”, ka thënë ai.

Shkëmbi – që del në Mesdhe nga brigjet e Realmonte në Sicilinë Jugore – ka pësuar erozion natyror. Shpeshherë ndodh që turistët të vjedhin pjesë prej tij.

 

Shkëmbi gëlqeror “Scala dei Turchi”, pikë turistike në Sicili

Bazuar te disa dokumente që datojnë që nga shekulli i XIX-të, Ferdinando Sciabbara pretendon se është pronar i një pjese të vijës bregdetare.

Ai u hetua për pushtimin e tokës dhe krime të tjera që lidhen me ruajtjen e zonës.

Verën e kaluar, Sciabbara u urdhërua të paguante një gjobë prej 9 mijë euro.

Pas pagesës, toka iu kthye sërish atij.

Sipas raportimeve në shtypin italian, Sciabbarra është gati t’ua shesë pjesën e tij të tokës autoriteteve lokale, me kusht që të krijohet një rezervë natyrore.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore