Momente

Shkëlqimi dhe rënia e Leon Spinks: “Unë nuk jam Më i Madhi, por Më i Fundit”


Në fillim fitoi medaljen e artë në Olimpiadë, më pas, titullin e kampionit botëror të peshave të rënda në ndeshjen e tij të tetë si boksier profesionist por, jo kundër kujtdo – kundërshtari i tij ishte Muhammad Ali.

Leon Spinks jetoi vitet e fundit të jetës së tij ne Las Vegas përpara se të ndahej nga jeta të premten mbrëma [5 shkurt]. Sipas The Guardian, Spinks kish vite që luftonte kancerin në prostat, ashtu dhe kancerogjene të shpërndara në trup. Ai ishte 67 vjeç.

Momentet e fundit të jetës Spinks i ndau me bashkëshorten e tij, Brenda Glur Spinks dhe familjarë e miq të afërt, të cilët i qëndruan pranë nga fillimi e deri në fund.

Spinks përshkruhet si peshë-rëndë me zemër të butë por kishte telashe me alkoolin.

Spinks-i e mundi Ali-në në ndeshjen e 1978-ës, në fund të raundit të 15-të për titullin e kampionit të botës së peshave të rënda, me vendim të gjyqtarëve. Interesant është fakti që Spinks ishte i palistuar në renditjet zyrtare të kategorisë së peshave të rënda dhe Ali e zgjodhi pikërisht për këtë arsye – kërkonte të fitonte lehtesisht.

Ironikisht, Ali mori çdo gjë veç fitores së lehtë. Spinks boksonte në stil jo-orthodoks dhe gjendej kudo nëpër ring duke paraprirë thuajse çdo iniciativë të Ali-së për të marrë kontrollin e ndeshjes.

Edhe pse Spinks nuk i përkiste boksit spektakolar, mënyra jokonformiste e tij për t’u sjell në ring, qe e mjaftueshme për të mposhtur atletin që historia edhe në ditët e sotme e njeh si “Më i Madhi” [Muhammad Ali].

Leon Spinks pas fitores kundër Muhammad Ali

Në intervistën e pas-ndeshjes, Spinks-i tha: “Unë nuk jam Më i Madhi, por më i fundit”.

“Një ndër gjërat më të pabesueshme ishte fakti që Ali ra dakort të ndeshej me Spinks-in. Kjo sepse, nëse do të shihnit ndeshjet e tij të mëparshme bashkë me rekordet, do kuptonit që nuk ishte sfidant i denjë për Ali-në” – u shpreh Robert “Bob” Arum të shtunën [6 shkurt] për The Guardian dhe vazhdoi – “Ai ishte thjesht një kundërshtar, që mrekullisht e fitoi atë ndeshje”.

Promotori dhe eksperti legjendar i boksit ndërkombëtar, Bob Arum, thellohet edhe më: “Në atë ndeshje çdo gjë shkoi siç duhej për Spinks-in. Nuk bëhet fjalë për një Ali jashtë formës ideale, por për një Spinks me përbërësit e duhur për të shokuar audiencën. Papritur, Spinks-i i nënvlerësuar u kthye në kampionin e botës në moshën 25 vjeçare”.

Ata u përballën sërisht shtatë muaj më vonë. Ndeshja u zhvillua në New Orleans dhe theu çdo rekord të mëparshëm pjesëmarrjeje – 72 mijë spektatorë qenë të pranishëm në kupolën e New Orleans ndërsa teleshikuesit e shpërndarë në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kaluan shifrën e 90 milionëshit. Kësaj rradhe, Ali mori revanshin.

Në Olimpiadën verore të 1976-ës në Montreal të Kanadasë, Spinks mundi kubanin Sixto Soria për vendin e parë dhe skaliti veten e tij në podiumin historik të pesë amerikanëve që kanë arritur të fitojnë medaljen e artë.

Leon Spinks vazhdoi të boksonte me intervale, deri nga mesi i veteve 90-të. Më i Fundit e mbylli karierrën e tij me rekordin 26 – 17 – 3.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore