Shqipëria

Shkatërrohen 31 sera kanabisi në Kurbin, shpallet në kërkim 34-vjeçari


Autoritetet kanë finalizuar fazën e gjashtë të mega-operacionit policor anti-kanabis të koduar “Imazhi”.

Kjo, në kuadër të hetimeve proaktive dhe operacioneve të njëpasnjëshme, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kësaj faze të mega-operacionit, në një terren të vështirë malor, në fshatin Skuraj, Kurbin, janë gjetur dhe shkatërruar 31 sera të vogla, bën me dije Policia.

Brenda tyre, sipas njoftimit, ishin të kultivuar 3 mijë e 510 bimë narkotikë të llojit cannabis sativa.

Autoritetet kanë arrestuar një shtetas dhe kanë shpallur në kërkim një tjetër, si autorë të dyshuar për kultivimin e këtyre bimëve narkotike.

Hetimi me metoda proaktive kishte nisur që në muajin prill dhe ishte organizuar nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

“Si rezultat i hetimit intensiv proaktiv, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i  kësaj veprimtarie kriminale, arrestimi i shtetasit D. M., 44 vjeç, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. M., 34 vjeç, si dy nga autorët e dyshuar të këtyre tentativave për të kultivuar bimë narkotike. Vijon puna për kapjen e 34-vjeçarit”, thekson Policia.

Gjithashtu, nga hetimi janë identifikuar dhe autorë të tjerë të kësaj veprimtarie kriminale, të cilëve, për shkak të konfidencialitetit të hetimit, nuk mund t’iu bëjmë me dije të dhëna.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore