Lajme

Shkarravina bizare e kryeministrit


Foto nga Albanian Post

“Kosova i ka më pak se 10 mijë policë e më shumë se 300 mijë familje”.

Kështu përfundon statusi skandaloz i kryeministrit të Kosovës për vrasjen e gruas shtatzënë në Qendrën Klinike Universitare nga ish burri i saj.

Me pak fjalë, Albin Kurti thotë që mos prisni nga policia të kujdeset për viktimat e t’i arrestojë dhunuesit e grave.

Ai bën fajtore shoqërinë kosovare që nuk po ngritë zërin sa duhet për dhunën në familje.

Kjo kërkesë do të kishte kuptim mbase në ndonjë rast tjetër, përveç në këtë të fundit.

Jo shoqëria, viktima vetë kishte ngritur zërin, e kishte lajmëruar burrin dhunues në polici/shtet. Por, shteti e kishte liruar atë. Viktima kishte kërkuar siguri nga frika se mund të pësojë dhunë prapë edhe pasi ishte ndarë, por shteti s’ia kishte ofruar dot.

Vrasësi kishte të caktuar perimetër të sigurisë. Nëse i afrohej viktimës policia supozohej të reagonte. Jo që u afrua, ai edhe e vrau ish-gruan, por policia s’arriti dot ta ndalonte.

Nuk arriti, sepse shteti nuk arrin të blejë byzylykët që i vendosen dhunuesit për të ditur në çdo kohë vendndodhjen e tij dhe nëse rastësisht i afrohet viktimës.

Arsyeja përse nuk i posedon policia ata byzylykë është tmerrësisht banale. Nuk është arritur të bëhet tenderi për t’i blerë.

Shteti jo që s’e siguroi viktimën, por nuk po arrin dot ta arrestojë as vrasësin.

Përkundër se krimi ndodhi në një institucion shtetëror, dorasi vazhdon të jetë në arrati, meqë kapaciteti i shtetit për ta arrestuar është më i vogël se i kriminelit për t’u fshehur.

Por, kryeministri që refuzon të marrë përgjegjësi, refuzon të merret edhe me këto defekte.

Ai nuk ka kërkuar llogari përse u lirua personi që ka ushtruar dhunë vazhdimisht, përse nuk u sigurua viktima që e kishte lajmëruar dhunën dhe as përse nuk po arrestohet dorasi.

S’ka faj shteti në asgjë, ka faj shoqëria në gjithçka, mendon kryeministri.

“Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj”, shkruan ai.

Edhe po të ishte kështu, edhe nëse shoqëria qenka e pazë në lajmërim të rasteve, çfarë ndodhë kur dhuna lajmërohet në shtet?

Ndodh vrasja në QKUK.

A mos heshtja për dhunën ka të bëjë me vetëdijen e viktimave se po e lajmëruan janë veç më shumë të rrezikuara nga paaftësia e shtetit për t’i siguruar?

Kryeministri nuk i bën këto pyetje, sepse ato do kërkonin përgjigje të cilat nuk i ka.

Akuzat e kryeministrit të paaftë për shoqërinë që ia ka besuar udhëheqjen nuk përfundojnë këtu.

Ai akuzon qytetarët se janë “familjarizuar me dhunuesit”.

“Shumësia e dhunuesve nëpër familje e ka sjellur familjarizimin me dhunuesit në shoqëri”, shkruan.

Matematikës bizare me numrin e policëve dhe 300 mijë familjet, duke i nënkuptuar ato të gjitha si dhunuese, vetëm për të arsyetuar mos-reagimin policor, lihet në hije nga një barbaritet tjetër i këtij kryeministri.

“Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme”, shkruan ai.

Ai do më shumë protesta, më gjatë se dy ditë.

Protesta ndaj kujt?

A po thërret të protestohet ndaj paaftësisë së shtetit për të parandaluar dhunuesit, derisa ai vetë nuk bën shtetin fajtor në asnjë segment të tij?

Çfarë saktësisht kërkon Kurti kur kërkon reagim më të madh?

Reagim në raport me kë? Reagim ndaj kujt? Apo u takon qytetarëve ta marrin vetë në dorë mbrojtjen e tyre?

Një status i tillë, krejtësisht apatik dhe i çalë është e pamundur të mos prodhoi kundërthënie, prandaj kësaj nuk i ikë as kryeministri.

Derisa një herë thërret për reagim më të madh, më pas shkruan vetë se po u reagua vritesh.

“Gratë që vriten janë gra që nuk kanë heshtur”, shkruan ai.

Pra, të mos reagosh është gabim, por të reagosh vritesh?

Çfarë do të thotë kjo? A është e mundur të zbërthehet një dualitet i tillë brenda pak rreshtave?

Në një pjesë tjetër të shkarravinës kryeminstrore, Kurti anashkalon prapë përgjegjësinë e shtetit.

Kërkon reagim publik, jo shtetëror.

“Shoqëria jonë është përgjithësisht e heshtur për zërin e mbytur të atyre grave nga burrat vrasës. Gratë (dhe fëmijët e saj) po luftojnë brenda shtëpive të tyre private pa mbështetjen e nevojshme publike”, shkruan njeriu më fuqinë më të madhe ekzekutive në vend që nuk ekzekuton asgjë.

Në pjesën e mbetur të shkrimit të tij në Facebook ai luan rolin e sociologut duke shpjeguar se brenda çfarë mentaliteti funksionon shoqëria kosovare.

I ka fajet paragjykimi patriarkal, thotë.

“Aktet e dhunës vijnë nga sjelljet dhunuese që vijnë nga kjo mendësi e ‘padhunshme’. Qytetarët e Kosovës, e në veçanti shqiptarët të cilët e konsiderojnë veten patriotë, duhet ta ngrejnë zërin kundër burrave që ngrejnë dorë mbi gruan”.

Pra, gjithkush ka faj, shoqëria që nuk ngre zërin, viktima që ngre zërin e vritet, shoqëria prapë që nuk proteston më shumë e më gjatë, familjarët që nuk flasin. Përveç shtetit, shteti s’ka faj kurrë.

Ky është kryeministri aktual i Kosovës. Si pothuajse në çdo segment tjetër, ai nuk kërkon zgjidhjen, por kërkon fajtorin.

Veteranët kishin fajin se u frynë listat. Mësuesit kishin faj se nuk po kryenin punën si duhet dhe po prodhojnë fëmijë analfabetë funksionalë. Madje ata u patën akuzuar nga po ky kryeministër se protestuan.

“Unë isha në Bruksel në bisedime këta më bënë protesta”, thoshte.

Gazetarët kanë faj që po bëjnë pyetjet e gabuara.

Shkon dhe më largë, kryeministri pati akuzuar edhe opozitën që nuk po di të bëjë opozitë si duhet.

Të gjithë kanë faj. Ai jo.

Ky pra është kryeministri i Kosovës, njeriu që paguhet për ta gjetur fajtorin në çdo situatë dhe që refuzon të gjejë zgjidhje për çfarëdo situate.

Ky është dokumentari i realizuar nga Albanian Post për dhunën ndaj grave dhe dhunuesit recidivistë që shteti i lë të lirë, përkundër se ata lajmërohen për dhunë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore