Shqipëria

Shkarkohet nga detyra Prokurori i Pogradecit, Shkëlqim Kokona


Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të premten e 17 dhjetorit ka vendosur të pranojë kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, për të shkarkuar nga detyra prokurorin e Pogradecit, Shkëlqim Kokona.

Kërkesa e ILD-së u pranua me votë unanime nga KLP-ja. Kokona është akuzuar për shkelje të rënda profesionale “që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës”.

Hetimi ndaj tij ka nisur në vitin 2018 pas një informacioni të Prokurorit të Përgjithshëm për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim dhe për shkelje të normave të etikës.

Që prej tre vitesh ai ka refuzuar vazhdimisht mosmarrjen në dorëzim të dosjeve si dhe nuk ka marrë pjesë në seanca gjyqësore duke shkaktuar shtyrje të gjykimit.

Gjithashtu Kokona ka kryer pa kompetencë përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë. Sipas gjykimit të ILD-së ai nuk ka nxjerrë urdhrat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim.

Nga ana tjetër Kokona ka kryer shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e administratës së prokurorisë dhe të gjykatës.

ILD-ja, ka gjykuar se shkeljet disiplinore nga ana e magjistratit – me eksperiencë prej 28 vitesh në punë – janë kryer me dashje direkte dhe se sjellja e tij ka çuar në shkelje të rënda profesionale dhe diskretitim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cenuar besimin e publikut te drejtësia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore