Shkarkohet Alain Giresse

Romario Ismailaj
20.06.2023 13:13
Loading Icons...

Alain Giresse nuk do të jetë më trajner i Kombëtares së Kosovës.

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin që me marrëveshje të dyanshme me përzgjedhësin, Alain Giresse është vendosur për ndërprerjen e bashkëpunimit. Ky vendim vjen pas humbjes në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë (1:2)”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

“Federata e Futbollit e Kosovës e falënderon trajnerin Giresse për angazhimin dhe punën e tij gjatë periudhës sa ishte në krye të Kombëtares së Kosovës. Në të ardhmen priten reforma të mëtejshme në ekipin kombëtar”, vijon njoftimi.

Edhe pse humbi takimin ndaj Bjellorusisë, në një intervistë pas sfidës, francezi dukej i bindur se do të qëndronte në stolin e Kosovës. Por, një takim i kësaj të marte në federatë, me kreun e kësaj të fundit Agim Ademi, u vendos dhe largimi i tij.

Alain Giresse (m) – Agim Ademi (q)

Kosova nuk pati ecuri pozitive në ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2024, ku përveç humbjes, 2-1, ndaj Bjellorusisë, “Dardanët” barazuan 1-1 me Izraelin, 1-1 me Andorrën dhe 0-0 me Rumaninë. Shpresat e tyre për një vend në finalet e Evropianit 2024 tashmë janë minimale.

Trajneri 70-vjeçar u vendos në krye të stolit të Kosovës më 23 shkurtin e vitit 2022. Ai i drejtoi ata në 14 ndeshje, duke pasur një mesatare të ulët pikësh, 1.29 pikë për çdo takim.

Gjatë këtyre 14 ndeshjeve, Giresse arriti vetëm katër fitore (një prej tyre në miqësore). Pjesa tjetër kompletohet nga gjashtë barazime dhe katër humbje.

Ecuria me Kosovën ishte një nga më të “zezat” në karrierën e tij të gjatë. Gjithashtu, Giresse nuk ka arritur të lërë gjurmë edhe gjatë kohës kur drejtonte PSG-në, ku u largua pas 12 ndeshjesh, me një mesatare 1.25 pikë për ndeshje.

Në krye të Toulouse, ai qëndroi për 67 ndeshje, duke arritur, 1.37 pikë për ndeshje. Ndërsa, në krye të Gjeorgjisë qëndroi për 10 ndeshje dhe mori 0.9 pikë për ndeshje.

Më mirë, francezi ka bërë në drejtimin e Tunizisë, Malit, Senegalit, Gabonit dhe më herët te Toulouse. Por, në asnjë prej skuadrave që ka drejtuar nuk ka arritur të marrë më shumë se 1.75 pikë për ndeshje mesatarisht.

Edhe pse me një karrierë shumë të gjatë, francezi ka arritur të fitojë vetëm një trofe, atë të Superkupës së Francës me PSG-në në sezonin 1998-99.

Të fundit

Aktuale