Lajme

Shitet për 2.9 milionë dollarë postimi i parë në Twitter


Bashkëthemeluesi i medias sociale Twitter, Jack Dorsey, ka shitur postimin e tij të parë për 2.9 milionë dollarë, në formën e një aseti unik digjital.

Postimi u shit të hënën si një token non-fungible (NFT), që është një lloj certifikate digjitale që ka marrë shumë popullaritet këtë vit. NFT-ja është një vulë digjitale që konfirmon nëse një artikull është unik dhe i vërtetë.

Çdo NFT ka firmën e vet digjitale, e cila shërben si libër publik që lejon këdo të verifikojë vërtetësinë dhe pronësinë e asetit.

Tokenët mund t’i bashkëngjiten artit digjital ose pothuajse çdo gjëje tjetër që vjen në formë digjitale si: skedarë audio, videoklipe ose afishe të animuara.

NFT-të, kohët e fundit, kanë marrë vëmendje të madhe në internet, pasi po përdoren për të zgjidhur një problem themelor te koleksionistët digjitalë: vërtetësinë e pronësisë për diçka që mund të kopjohet lehtë dhe pafundësisht.

Një vepër digjitale arti, nga artisti Beeple, u shit për më shumë se 69.3 milionë dollarë në një ankand online. NFT-ja shërbeu si një garanci për vërtetësinë e saj.

Postimi i Dorsey: “duke bërë gati twttr tim”, i bërë më 21 mars 2006, ishte i pari postim i bërë në Twitter.

NFT-ja u shit në ankand në një platformë të quajtur Cent. Ajo u ble duke përdorur kriptovalutën Ethereum (ETH), për rreth 1 mijë e 631 ETH, e cila, në kohën e shitjes kishte vlerën e rreth 2 milionë e 915 mijë e 835 dollarë, konfirmoi drejtori ekzekutiv i Cent, Cameron Hejazi.

Zyrtarë të kompanisë Cent konfirmuan se blerësi është Sina Estavi. Ky i fundit është i vendosur në Malajzi dhe është drejtori i kompanisë së kriptovalutave, Bridge Oracle.

Kur Estavi u pyet për koment në lidhje me blerjen, ai i tha agjencisë së lajmeve, Reuters, se ishte “mirënjohës”.

Shitja

Më 6 mars, Dorsey, i cili është një entuziast i Bitcoin, postoi në Twitter linkun e faqes së internetit ku ishte shënuar NFT-ja për shitje. Tri ditë më vonë, ai premtoi se të ardhurat nga ankandi do t’i konvertonte në Bitcoin dhe do t’i dhuronte ato te njerëzit e prekur nga COVID-19 në Afrikë.

Sipas marrëveshjes, Dorsey merr 95% të të ardhurave nga shitja e NFT-së, ndërsa kompania Cent merr 5%.

Dorsey postoi në Twitter marrjen e Bitcoin-ëve, të hënën pasdite, dhe tha se fondet u dërguan për bamirësi në fondacionin afrikan, GiveDirectly.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore