Pajisje

Shitet në ankand kompjuteri origjinal i Apple-it në SHBA


Kompjuteri origjinal i Apple-it, i ndërtuar në vitin 1976 nga bashkëthemeluesit e kompanisë, Steve Wozniak dhe Steve Jobs, është shitur.

Kompjuteri i “vjetër” është shitur në një ankand të mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 400 mijë dollarë, tregon e përditshmja “BBC”.

Nën emrin Apple-1, ai ende funksionon dhe është një nga vetëm 200 të prodhuarit e këtij modeli të veshur me dru.

“Ky është një objekt i shenjtë për koleksionistët e vjetër të elektronikës dhe teknologjisë kompjuterike”, ka thënë eksperti i Apple-1, Corey Cohen, përpara ankandit në qytetin e Monrovia, pranë Los Angeles.

“Kjo e bën vërtet emocionuese për shumë njerëz” shitjen e tij, ka vijuar eksperti.

Poshtë monitorit, kutia e drurit në modelin e shitur në ankand është shtuar nga një shitës i hershëm kompjuterik, ByteShop, në Kaliforni, i cili mori në dorëzim afro 50 Apple-1.

Dy themeluesit – Jobs, Wozniak dhe Ronald Wayne – e ndërtuan kompjuterin Apple më 1 prill 1976 në një garazh në Kaliforni.

Për të ndihmuar në financimin e prodhimit të Apple 1, Jobs shiti mikrobusin e tij VW, ndërsa Wozniak shiti kalkulatorin e tij HP-65 për 500 dollarë.

Asokohe, kompjuterët u shitën për 666.66 dollarë dhe e ka një shpjegim sepse Wozniak pëlqente të përsëriste numrat.

Besohet se ka afro 20 kompjuterë të tillë në botë, ende të aftë për të funksionuar, shkruan “BBC”.

Megjithatë, modeli i shitur në këtë ankand nuk ka arritur fitimin më të madh pasi një version tjetër funksional është shitur për 905 mijë dollarë në një ankand në New York në vitin 2014.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore