Shqipëria

Shinat që na Bashkojnë – Si, kur, pse dhe a do bëhet Hekurudha e Kombit?


Ilustrim

Dy qeveritë shqiptare në takimin e fundit më 26 nëntor, në Elbasan, u dakorduan që të ndërtojnë një linjë të re hekurudhore e cila do të lidhte portin e Durrësit në Shqipëri me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

Linja hekurudhore edhe nga Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, por edhe nga homologja e tij u konsiderua edhe si arritje, por edhe si dëshirë historike.

Mbledhja e dy qeverive më 26 nëntor në Elbasan

 

Por si u arrit deri tek kjo marrëveshje?

Në vitin 2015, Komiteti Nacional i Investimeve i Qeverisë së Kosovës kishte miratuar listën e projekteve prioritare për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore.

Në këtë listë, përveç linjave ekzistuese hekurudhore brenda vendit, ishte paraparë  edhe fillimi i përgatitjeve për ndërtimin e linjës së re hekurudhore e cila do të lidhë Kosovën me Shqipërinë.

“Në lidhje me këtë projekt ishte kërkuar ndihmë edhe nga instrumentet e BE-së, por pa sukses. Po ashtu, Qeveria e Shqipërisë kishte shfaqur hezitime në financimin e kësaj linje”, ka treguar për Albanian Post, Agron Thaçi, Konsulent dhe ish Kryeshef Ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës.

Agron Thaçi, Konsulent dhe ish Kryeshef Ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës

Por me kohën gjërat filluan të ndryshonin, tregon Thaçi.

“Marrëveshja e Washingtonit pjesë e së cilës ishte edhe linja hekurudhore, i dha shtysë kësaj iniciative, e cila fatmirësisht po fillon të jetësohet nga dy Qeveritë e kombit tonë”.

 

Linjë hekurudhore e Kosovës me portin e Durrësit ka rëndësi të shumta

Duke nisur nga “rritja e shkëmbimit tregtar me një transport me kosto të ulët, rritja e transportit te udhëtarëve nga Kosova dhe rajoni për në Shqipëri dhe anasjelltas, lidhja në distancë më të shkurtër të rrjetit hekurudhor të Shqipërisë, respektivisht të Korridorit të tetë hekurudhor me korridorin e dhjetë hekurudhor, etj”, tregon Thaçi.

Por, një ndër pikat më kryesore në aspektin zhvillimor të kësaj linje, shihet mundësia që i jepet Kosovës dhe Shqipërisë për t’u bërë faktor ekonomik për rajonin dhe më gjerë.

“Lidhja e portit të Durrësit përmes linjës hekurudhore me qendrën e gadishullit ballkanik – Kosovën, ku potencialisht përmes një porti të ri hekurudhor Kosova do të shndërrohej në një pikë distribuimi të mallrave për gjithë rajonin dhe më gjerë”, shpjegon konsulenti i hekurudhave, Agron Thaçi.

Shqipëria deri tani ka ndërmarr hapa të mëdhenj në investime për ndërtimin e katër porteve detare, përveç porteve tjera, por “ndërtimi i një porti detar të thellësisë së madhe që do t’i siguronte avantazh konkurrues në përpunimin e gjeneratave të reja të anijeve të mëdha, është domosdoshmëri për fuqizimin e dy vendet tona”, tregon Thaçi.

“Për të arritur synimet madhore mbarë shqiptare të shekullit 21, për t’u shndërruar në fuqi ekonomike rajonale”.

Kritike, Thaçi e vlerëson madhësinë e portit, për përfitimet nga linja hekurudhore dhe autostradës nga të dy anët, por edhe ekonomisë së dy shteteve në këtë rast, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Pra, për të hyrë në tregtinë ndërkombëtare me një strategji agresive, përveç portit duhet edhe një sistem hekurudhor efikas dhe i denjë për një ambicie të tillë”.

Si rrjedhojë Thaçi e sheh më se të nevojshme zhvillimin e sistemit hekurudhor, përkrah standardeve të sigurisë dhe teknologjisë më të avancuar, të kërkuara nga Sistemi Evropian i Transportit Hekurudhor.

“Në mënyrë që në një të ardhme të afërt kjo linjë hekurudhore të bëhet pjesë e Rrjetit Bazik të Transportit të Evropës, respektivisht korridor hekurudhor evropian”, thotë Thaçi.

“Pra, linja hekurudhore duhet të ndërtohet për t’u bërë ballë zhvillimeve të shekullit 21 e më shumë”.

“Duhet të jetë me dy palë binarë ku njëri binar të jetë i destinuar për mallra e tjetri për udhëtarë. Shpejtësia e projektuar duhet të jetë min 100 km/h dhe max 160 km/h”, specifikon ish Kryeshefi i Hekurudhave të Kosovës.

Kjo linjë e re hekurudhore duhet të ndërtohet me të njëjtat standarde nga fillimi deri në fund.

“Nga porti i Durrësit, duke përshkuar Kosovën me distancën më të shkurtër të mundshme në afërsi të qendrave kryesore deri në pikën kufitare në Mendarë, e që është distanca më e shkurtër e cila na lidh me korridorin kryesor C11 në Nish. Korridori C11 na mundëson lidhjen me Evropën Qendrore në njërën anë, me Turqinë dhe më larg përmes Bullgarisë”.

Koha e ndërtimit të Linjës Hekurudhore do të varet nga shumë faktorë, tregon Thaçi. Por, që ky projekt të realizohet do vullnet, përkushtim dhe gatishmëri nga të dy vendet.

“Duke përfshirë ekipe menaxheriale, profesionale dhe kompani ndërtuese të fuqishme e kredibile”.

Sipas ish udhëheqësit të kompanisë publike, Hekurudhat e Kosovës, e cila ka për detyrë të operoj rrjetin hekurudhor të Kosovës, nëse çdo veprim përllogaritet mirë, projekti Durrës – Prishtinë mund të përfundoj brenda shtatë viteve.

“Nëse optimizohen këta faktorë dhe faktorët si koha e përgatitjes së projektit, sigurimi me kohë i fondeve financiare dhe modeli më i përshtatshëm i kontratës, atëherë përfundimi i linjës hekurudhore do të mund të kryhej në një afat pesë deri në t vjet”.

Linja hekurudhore do të kishte gjatësi rreth 100 km në territorin e Shqipërisë dhe po aq në territorin e Kosovës deri në Merdare;

Ndërsa kostoja totale e këtij projekti do të varet nga opsion i gjurmës hekurudhore që në këtë rast do të zgjidhet nga ekspertët e fushës, dhe në varësi nga terreni.

“Por, duke pasur parasysh çmimet në rritje të tregut ndërkombëtar kohët e fundit dhe nëse merret parasysh edhe ndërtimi i linjës së re në territorin e Kosovës dhe ndërtimi, Porti i thatë (terminali) hekurudhor, vlera duhet të sillet në të dy anët minimum një Miliard Euro, me specifikat dhe standardet më të larta, si linjë e dyfishtë”.

Agron Thaçi, propozon që kjo linjë hekurudhore ndërshtetërore të emërohet “Hekurudha e kombit – Karl Gega”

Në nderim të arkitektit Shqiptar me famë botërore, i cili është arkitekti i parë në histori që ndërtoi segmentin më të ndërlikuar hekurudhor në Austri, në vendin e quajtur Simering e që edhe sot e kësaj dite mbetet kryevepër e ndërtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore