Shqipëria

“Shikimi i madh” për nga arkitektura rezidenciale


Pamje nga shkolla "Bedrie Bebeziqi", Durrës

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkaktoi dëme të pariparueshme në qytetin bregdetar të Durrësit. Dëme, të cilave nuk i shpëtoi as shkolla 9-vjeçare Bedrie Bebeziqi.

E rrënuar, në pritje për një jetë të re, shkolla e arsimit fillor kërkonte një jetë të re. Jetë, e cila iu dha brenda vitit pandemik 2020. Më 26 nëntor, ajo hapi dyert, edhe pse jo për nxënësit, të cilët duhet të qëndronin në shtëpi.

Pavarësisht kësaj, godina është e përfunduar dhe funksionale, madje, edhe e titulluar me një çmim.

Projekti i përfunduar i rindërtimit të Bedrie Bebeziqi, ka marrë vlerësimin si godina më e mirë për arkitekturën rezidenciale në vitin 2021, nga prestigjiozja rajonale BIG SEE, e atashuar pranë Qendrës për Kreativitetin Ekonomik në Evropën Juglindore.

Sipas organizatës së njohur mbi arkitekturën, një ndër problemet kryesore, ka qenë fakti se ndërtesa nuk ka qenë e konceptuar për t’u përdorur si shkollë. Ndaj, kishte një sërë problemesh që duheshin zgjidhur.

Ndër më madhorët, ai i hapësirave të vogla, për një numër të lartë nxënësish.

745 metra katrorë janë të paktë për 450 nxënës. Për zgjidhjen e kësaj, u vendos të bëhej një ravijëzim i klasave për të parë drejt jugut, në mënyrë që të maksimizoheshin hapësirat.

Në estetikën e godinës, ka një kompozim racional gjeometrik të volumit. Ai përcakton unitetin dhe rregullsinë e grilave të vendosura për të mbrojtur nga dielli.

Ngjyrat e zgjedhura krijojnë një atmosferë të këndshme, gjë e cila i vë në lëvizje dhe i frymëzon të luajnë. Por, jo vetëm kaq.

Godina, i jep një frymë të re edhe lagjes në të cilën është e vendosur, duke i dhënë hare syrit të kalimtarëve.

Bedrie Bebeziqi, është një nga 140 shkollat, të cilat kaluan në procesin dy vjeçar të rikonstruktimit, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore