Kampionë

Shields, kampione e padiskutueshme e botës në dy kategori


Claressa Shields vendos diktatin e saj përsëri duke u shpallur kampione e padiskutueshme e dyfishtë [dy kategori peshash të ndryshme] me fitoren kundër Marie-Eve Dicaire.
Kampionia amerikane në tre kategori të ndryshme peshash, është e vetmja luftëtare në botë midis meshkujve e femrave bashkë, e cila mban rekordin e kampiones së padiskutueshme në dy kategori të ndryshme [e vetmja që mban të katërt titujt e katër federatave më të rëndësishme në boks; WBA, WBO, WBC dhe IBF].

Shields deklasoi plotsisht kanadezen Dicaire në ndeshjen 10-raundëshe me targën e vendimit unanim nga të tre gjyqtarët 100 – 90, 100 – 90 dhe përsëri 100 – 90.

Kurorëzimi i Claressa Shields si kampione e padiskutueshme e botës

Përpara se Shields të shpallej kampione e padiskutueshme, rripin e IBF-së e vishte Dicaire, bashkë me rekordin e saj të pastër 17 – 0 – 0 që, tashmë u “njollos” me një humbje. Pra, me fitoren kundër 34-vjeçarës Dicaire, ajo rrëmbeu titullin e IBF-së dhe atë të WBA-së, i cili ishte me status të çliruar.

Me këtë fitore Shields ngjitet në kuotën 11 – 0 – 2.

Përshkrim i përmbledhur i ndeshjes

25-vjeçarja amerikane i qëndroi besnike stilit të saj agresiv dhe pikërisht ky stil i Shields, çekuilibroi Dicaire-n – sidomos pasi u godit nga një e majtë e rëndë në raundin e katërt.

Në raundin e gjashtë, Dicaire thuajse u rrëzua mbi kanavacën e ringut, pasi kombinimi thumbues i Shields ia luhati qëndrimin.

Megjithatë, ndeshje nuk qe tërësisht e njëanëshme; Dicaire pati momentin e saj në raundin e 10 me një sulm tepër agresiv, mirëpo fituesja e dyfishtë e medaljes së artë në Olimpiadë [Shields], arriti ta menxhonte situatën mjaft mirë, duke e kthyer disavantazhin në avantazh me një kundër-grusht.


Menaxheri i Claressa Shields, Dmitriy Salita, kish deklaruar më parë që “Claressa qëndron e vetme si numri 1 në botë, nuk ka tjetër krah saj dhe nuk ka asnjë konkurente”.

“Claressa është luftëtarja më ë mirë në planet, jo vetëm sepse arritjet e saj janë të pakrahsueshme, por edhe se ajo po lufton për të drejta të barabarta jashtë ringut; për të gjithë luftëtarët e botës”, është shprehur Salita për Sky Sports pak kohë përpara ndeshjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore