Sport

Shi milionash falë Camp Nou-t


Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka arritur të injektojë një shumë të madhe parash në buxhetin e Barcelonës pas arritjessë marrëveshjes me Spotify.

Laporta erdhi te Barcelona në mars të vitit që lamë pas, dhe ai e gjeti skuadrën e Barcelonës në një situatë tejet shqetësuesë ekonomike.

Madje, siç u raportua në media, nëse Barcelona do të ishte kompani e limituar, ata do duhej të shpërbëheshin.

Mirëpo, bordi i ri iu fut punës dhe arriti që me sponsor të ndryshëm të nxirrej, sado pak, nga kriza.

Lajmet ekonomike tani kanë arritur një rëndësi të madhe te Barcelona dhe tifozët e tyre, e së fundmi, blaugranët kanë marrë një lajm shumë të mirë.

Marrëveshja me Spotify, që pritet të zyrtarizohet së shpejti, do t’i sjellë Barcelonës të ardhura prej 225 milionë eurosh, që do të përfshijnë emrin e ‘Spotify’ në fanellën e skuadrës së femrave, veshjeve të stërvitjes dhe poashtu emrin e stadiumit për tri sezonet e radhës.

Barcelona do të përfitojë 20 milionë euro që emri i stadiumit të jetë “Spotify Camp Nou”, gjë kjo që kalon Manchester City-n dhe marrëveshjen me “Etihad”, me 15 milionë.

Por, ky nuk është i vetmi burim paraje për katalunasit, që janë garantuar një borxh prej 595 milionë euro nga ‘Goldman Sachs’, i cili do të paguhet në një periudhë kohore prej dhjetë vitesh.

Shtesë e këtyre, është edhe ndërtimi i stadiumit të ri, që pritet të sjellë të ardhura më shumë se një miliard euro në një periudhë pesë-vjeçare.

Barcelona duket se po lë prapa problemet financiare, me shpresën që të kthejë lavdinë e dikurshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore