Lajme

SHGK paralajmëron protesta: Nuk do t’i nënshtrohemi as kësaj qeverie


Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, vazhdon të shpreh pakënaqësitë e saj lidhur me mos zgjatjen e orarit të punës dhe mos lehtësimin e masave anti-COVID.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi dhë anëtarë të tjerë të SHGK-së, kanë paralajmëruar protesta të ashpra nëse këto masa nuk hiqen nga organet kompetente të shtetit.

Në një status të publikuar në llogarinë e tij të Facebook, Kllokoqi, ka theksuar se – “Qeveria i ka mbyllur për 12 ditë bizneset e gastronomisë përderisa është zotuar për subvencionim që nuk e ka bërë akoma”.

Sipas Kllokoqit, “gastronomët u harruan dhe u anashkaluan”, duke mos pritur as ftesa për konsultime nga organet kompetente të Republikës së Kosovës.

“U betuan qe ne fillim te muajit Maj kane me na subvencionu për 15 ditët e para të muajit Prill, ndërsa  tash jemi me 10 maj, Gastronomet u harruan. U betuan qe nëse ulen rastet orari do të ndryshoj dhe masat do të zbuten, ndërsa as në takim nuk na ftuan, gastronomet u anashkaluan”, shkroi ai në Facebook.

Kllokoqi, ka përmendur hapjen e fundit të gastronomisë në shtetet fqinje dhe lejimin e mbajtjes së festivaleve në këto vende, teksa në emër të SHGK-së është zotuar se “nuk do t’i nënshtrohen kësaj qeverie”.

“Ne nuk iu nënshtruam as Qeverise se kaluar, ku mbajtëm 3 protesta, dhe nuk do i nënshtrohemi as kësaj Qeverie”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore