Lajme

Shërbimet funerale në Hong Kong janë të mbingarkuar nga COVID-19


Arkivolet artizanalë prej druri po mbarojnë në Hong Kong, ndërsa autoritetet përpiqen të shtojnë hapësirën mortore në betejën e qendrës financiare globale kundër COVID-19, e cila po mbyt sallonet e funeralit.

“Kurrë nuk kam parë kaq shumë trupa të grumbulluar së bashku”, tha drejtori i funeralit, Lok Chung, 37 vjeç, i cili ka punuar me orë shtesë, me rreth 40 funerale vetëm në muajin mars.

“Është hera e parë që shoh familjarë kaq të mërzitur, kaq të zhgënjyer, kaq të pafuqishëm”, tha Chung.

Që kur vala e pestë e coronavirus-it goditi ish-koloninë britanike këtë vit, janë raportuar më shumë se një milion infeksione dhe më shumë se 8 mijë vdekje.

Skenat e trupave të grumbulluar në dhomat e urgjencës pranë pacientëve kanë tronditur shumë njerëz, pasi vendet në varreza janë mbushur.

Një pritje e gjatë për përpunimin e dokumenteve të vdekjes ka penguar punën, shtoi Chung, i cili nxitoi nga një morg javën e kaluar për të bërë rregullimet përfundimtare për pacientin e tij të fundit me COVID-19.

Pjesën më të madhe të fajit për vonesën e ka bllokimi i transportit nga qyteti fqinj jugor kinez, Shenzhen, i cili furnizon me shumë artikuj, por tani po lufton vetë shpërthimin e COVID-19.

Kufiri me Hong Kongun është kryesisht i mbyllur për shkak të sëmundjes.

Infeksionet midis stafit në sallonet e funeralit gjithashtu përbëjnë një sfidë të rëndësishme, tha Hades Chan, 31 vjeç, një tjetër drejtor funerali.

“Pothuajse një e katërta e njerëzve nuk janë në gjendje të punojnë. Kështu që disa sallone duhet të bashkojnë stafin mes tyre për të vazhduar punën”.

Amvisa Kate, 36 vjeç, tha se vdekja e vjehrrit të saj në mars nga COVID-19 shkaktoi një ngarkesë të madhe emocionale në familje dhe shtoi se keqardhja e saj më e madhe ishte që nuk mund ta vizitonte atë në spital.

“Kur doktorët menduan se ai nuk do t’ia dilte, ne nxituam atje, por ishte tepër vonë”, tha Kate për agjencinë mediatike Reuters, ndërsa po qante.

“Vetëm tani jemi në gjendje ta shohim atë për herë të fundit”.

Kina furnizon më shumë se 95% të 250 deri në 300 arkivoleve që i nevojiten Hong Kongut çdo ditë, tha zyrtarja e qytetit për ushqimin dhe higjienën, Irene Young.

Ajo mori më shumë se 3 mijë e 570 arkivole gjatë periudhës nga 14 deri më 26 mars, pasi qeveria e qytetit të sunduar nga Kina u koordinua me autoritetet kontinentale.

Gjashtë krematoriumet tani funksionojnë pothuajse gjatë gjithë orarit dhe kryejnë gati 300 djegie në ditë, ose dyfishin e shifrës së zakonshme.

Dhe morgjet publike janë zgjeruar për të akomoduar 4 mijë e 600 trupa nga 1 mijë e 350 që ishin më parë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore