Sport

Shënoi dy gola, mbrojtësi kuqezi thotë se mund të luajë edhe si sulmues


Qendërmbrojtësi i kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ishte heroi i Atalanta-s, i cili shënoi dy gola në fitoren e tyre me rezultat 2:1, ndaj Olympiacos-it, në ndeshjen e vlefshme të fazës së 1/16-ve të finales në Ligën e Evropës.

Atalanta ishte duke humbur 0:1 pas një goli të hershem nga braziliani, Tiquinho Soares, por italianët arritën të kthehen në lojë në pjesën e dytë, falë Gjimshitit.

Pas ndeshjes, futbollisti i lindur në Zurich, foli për Sky Sport Italia, duke thënë se në pushim të pjesës së parë, kishin diskutuar me trajnerin se çfarë u mungonte në skuadrën e tyre.

“Folëm në pjesën e parë për 15 minuta, ku diskutuam se çfarë nuk shkonte mirë, duke thënë se duhej të zgjoheshim dhe të fitonim këtu. Ishte fryma e duhur dhe ne e kthyem atë”, tha Djimsiti për Sky Sport Italia.

Atalanta po përballet me mungesë të sulmuesve, pasi Duvan Zapata është jashtë për disa muaj dhe Luis Muriel çaloi në pjesën e parë për shkak të një problemi në këmbën e tij.

“Ndoshta ndeshjen tjetër, mund të luaj si sulmues”, tha mbrojtësi kuqezi me shaka.

“Shpresojmë që pas lëndimit të Duvanit, të mos ketë asgjë serioze për Muriel. Ata janë sulmuesit tanë dhe ne kemi nevojë për ta”, shtoi Gjimshiti.

“Mund të shpresojmë vetëm për më të mirën. Na mungonte vërtet një fitore, veçanërisht në shtëpi. As unë nuk kisha shënuar për një kohë të gjatë, kështu që jam i lumtur”, përfundoi ai.

Pra, falë Gjimshitit, tani Atalanta ka një rezultat pozitiv, për të kërkuar kualifikimin në ndeshjen e kthimit në Greqi.

Mbrojtësi kuqezi kishte shënuar vetëm katër gola në 130 ndeshjet e mëparshme me fanellën e Atalanta-s, por dy i shënoi në harkun e dy minutave mbrëmë, për t’ia dhuruar një fitore të rëndësishme ekipit të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore