Lajme

“Shenjë e mirë për bisedimet e mëtejshme”, Rohde për marrëveshjen për targat


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka cilësuar lajm të mirë arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave në Bruksel të merkurën.

“Një lajm i mirë me të vërtetë dhe gjithashtu një shenjë e mirë për bisedimet e mëtejshme për çështjet e pazgjidhura”, shkroi Rohde në Twitter.

 

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një cicërime në Twitter e ka përshëndetur marrëveshjen për targat mes Kosovës dhe Serbisë të arritur të mërkurën në Bruksel.

“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja shton sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, theksoi Hovenier.

Të mërkurën, kryenegociatori i Kosovës në Bruksel, Besnik Bislimi, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter se pasi u arrit marrëveshja në Bruksel, në bazë të secilës Kosova shtynë vendimin për targat ilegale, derisa Serbia nuk lëshon më të tilla, ka ardhur momenti që të ketë fokus në marrëveshjen finale.

“Pas marrëveshjes së sotme ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive për propozimin e Bashkimit Evropian, mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të raporteve”, shkroi ai në llogarinë e tij në Twitter.

Pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova është pajtuar që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, duke njoftuar arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhet në njoftim.

Sipas marrëveshjes së arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve, pra nuk do ketë gjoba dhe as konfiskime, ndërsa Serbia do të ndalojë lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

“Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm, falënderoj të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, shtoi Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore