Lajme

Shehoviç: Qeveria meriton të bjerë sa më shpejt


Deputeti socialdemokrat, Damir Sehoviq

Deputeti socialdemokrat (SD) në Mal të Zi, Damir Shehoviç, ka thënë se duhet të presin që nëse kalon buxheti për vitin 2022 në Kuvend, atëherë opozita do të vendosë për interpelancë të re mosbesimi ndaj Qeverisë.

Fillimi i janarit sipas tij është momentumi i duhur për ta shikuar situatën në mënyrë serioze dhe vlerësuar se kur do të rinovohet mocioni për mosbesimi.

“Kur ta zyrtarizojmë, besoj se më në fund do të konsiderohet në parlament, se do të rrëzojmë qeverinë dhe do të shkojmë në zgjedhje të reja, që mund të jenë së bashku me zgjedhjet lokale në pranverë, ose do të shohim një tubim të ri në skenën politike”, ka deklaruar Shehoviç.

Sipas tij, Qeveria aktuale e Malit të Zi, sido që të jetë, po i numëron ditët e fundit.

“Është e qartë se kjo qeveri nuk mund të qeverisë, dhe është në interesin e të gjithëve që ajo të bjerë sa më shpejt”, ka thënë Shehoviç.

Sipas tij, ekzekutivi nuk ka përmbushur asgjë, ndërsa ka premtuar kodra dhe lugina.

“Ne po hyjmë në vitin 2022 me një GDP më të ulët se sa kishim në 2019-ën, dhe thjesht pyes veten se si është e mundur”.

“Ne jemi sjellë në një situatë kur dikush qëllimisht po na shtyn në kolapsin e financave publike, vetëm për t’u bërë lajka qytetarëve para formimit të pritshëm të partisë”, ka thënë ai, përcjell RTCG.

Deputeti socialdemokrat (SD) në Mal të Zi, Damir Shehoviç

“Evropa tani” drejt falimentimit

Deputeti Shehoviç ka deklaruar se në programin “Evropa tani” janë paketuar shumë gjëra të bukura, por me të drejtë shtrohet çështja e qëndrueshmërisë së tij.

“Kur bëhet fjalë për qëllimet e këtij projekti, atëherë nuk ka asgjë të diskutueshme, sepse ky projekt në thelb bazohet në rritjen e kostos minimale të punës nga 250 në 450 euro. Problemi lind kur pyesim veten se ku i kemi marrë paratë për ato premtime”.

Andaj sipas tij është mese e nevojshme që shteti të sigurojë rreth 200 milionë euro në vit për të financuar ato gjëra që parasheh “Evropa tani”.

“Qeveria na tha që ato para do t’i siguronim përmes ligjit për administratën tatimore, pra me taksimin e të ardhurave të padeklaruara, kështu që në bazë të kësaj ka planifikuar nja 20 milionë”.

“Nga ligji për administratën tatimore na janë premtuar 20 milionë euro dhe a e dini sa kemi fituar me atë bazë, zero euro”, ka deklaruar Shehoviç.

Tutje ai ka thënë se çdo nismë që çon në konsensusin më të gjerë të mundshëm për vlerat evropiane, qytetare dhe antifashiste ka mbështetjen e socialdemokratëve.

“Më ka befasuar këndshëm memorandumi. Besoj se është një kusht i domosdoshëm për tejkalimin e krizës aktuale politike në të cilën ndodhet Mali i Zi”.

“Ka vetëm dy rrugëdalje nga kjo krizë politike. E para është të thuhet se nuk mund të jetë më kështu. Besoj se nuk do të na duhet shumë kohë për të rënë dakord për këtë dhe për të caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ndërsa rruga e dytë sipas tij është “ri-kompozimi i skenës politike”, ka përfunduar Shehoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore