Shqipëria

Shehaj dërgon në Kushtetuese vendimin e Kuvendit për mandatin e Xhaçkës


Agron Shehaj, deputet i Partisë Demokratike, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për kundërshtimin e vendimit të Kuvendit.

Po ashtu edhe atë për konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të mandatit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Për këtë votim, Shehaj mendon se mazhoranca e ka shndërruar Parlamentin edhe një herë tjetër në një mburojë për korrupsionin e qeveritarëve.

Sipas tij, Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e Jashtme edhe investitore strategjike. Kështu që i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin formal.

Pasi e zvarriti pa fund, një ditë më parë, maxhoranca bllokoi në parlament dërgimin në gjykatën kushtetuese të kërkesës për shqyrtimin e papajtueshmërisë me kushtetutën për mandatin e zonjës Olta Xhaçka.

“Ky është një akt shumë i rëndë. E megjithatë, jo surprizë për ne. Sepse në këto dhjetë vjet, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri vetëm këtë kanë bërë”, ka thënë Shehaj.

Deputeti ka shtuar gjithashtu se Partia Demokratike është e vendosur që t’i shkojë deri në fund betejës me korrupsionin galopant dhe abuzimet e pafundme të kësaj qeverie.

“Xhaçka nuk mund të jetë njëkohësisht edhe ministre e Jashtme edhe investitore strategjike. Nuk mund të jetë edhe deputete edhe pronare e plazhit publik. Ndaj i takon Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin formal, të asaj që ligji e dhe Kushtetuta e diktojnë fare qartë”, ka theksuar ai.

Në seancën e djeshme, deputetët socialistë votuan raportin e mazhorancës të bërë në Këshillin e Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë që kundërshtonte heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore