Lajme

Shefja e USAID-it: Biden mbështet fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi


Samantha Power

Shefja e Agjencisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka deklaruar këtë të marte se mesazhi kryesor i presidentit të ShBA-së, Joe Biden, është se ShBA-të “mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, sepse siç tha ajo “i gjithë rajoni ka një rëndësi të madhe për ShBA-të”.

Këto komente ajo i bëri gjatë qëndrimit të saj në Serbi.

“Mesazhi kryesor i Presidentit Biden është se sa i rëndësishëm është procesi i normalizimit dhe sa shumë ne duam ta mbështesim procesin, dhe ne jemi të inkurajuar nga përparimi që është bërë deri më tani”, tha Power para gazetarëve në Serbi.

Presidenti i Shteteve te Bashkuara te Amerikes, Joe Biden.

Ndërkaq, e pyetur se si USAID-i mund të ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve, ajo tha se janë të vetëdijshëm se ka shumë skepticizëm nëse zgjidhja do të ndodhë dhe ku do të çojë Serbinë dhe Kosovën kjo zgjidhje, por ajo shpjegoi se “rruga e integrimit ekonomik, lehtësimi i investimeve në biznes për investitorët e huaj dhe rritja e interesit të sektorit privat, çojnë në njohjen se ky rajon është i qëndrueshëm”.

“Unë jam këtu për të kuptuar se si mund të ndihmojë USAID-i. Ne e njohim rëndësinë e prosperitetit për njerëzit e të dy vendeve, dhe padyshim nëse ka normalizim, ai do të hapë mundësitë ekonomike që do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për popullin e Serbisë dhe Kosovës”, beson Power.

Ndryshe, në mesditën e së martës Power bëri të ditur se ka arritur në Beograd ku do të takohet me liderët shtetërorë të Serbisë, me “qëllim të uljes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Power e kosoderoi situatën aktuale ‘moment kritik’ për Kosovën dhe Serbinë.

“Sapo mbërriti në Beograd si pjesë e vizitës njëjavore në Serbi dhe më pas në Kosovë. E nderuar që jam e para administratore e USAID që vizitoj Serbinë, mezi pres të angazhohet me një sërë partnerësh në këtë moment kritik për të dy vendet”, ka shkruar ajo.

Pas përfundimit të vizitës në Serbi, diplomatja amerikane do ta vizitojë Kosovën, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Ajo do të takohet në Prishtinë dhe Beograd edhe me pjesëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesi dhe gazetarë, si përpjekje inkurajuese e SHBA-ve për palët që të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Poëer do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit tonë për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin demokratik”, thuhet në deklaratën e USAID-it, transmeton “Associated Press”.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Marrëveshja e Ohrit kërkon nga palët, ndër të tjera, që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore