Lajme

Shefja e diplomacisë gjermane takohet me Osmanin: BE-ja nuk do t’ju lërë në baltë, e keni fjalën time


Annalena Baerbock dhe Bujar Osmani

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka deklaruar se Gjermania mbështet fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë, duhet t’i përmbushë të gjitha detyrimet, përfshirë edhe ndryshimin e Kushtetutës.

Të enjten në Shkup, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ajo tha se kompromiset janë të rënda, por janë mënyra më e mirë për të ardhmen e fëmijëve, duke shtuar se “e keni fjalën se Bashkimi Evropian nuk do t’ju lërë në baltë”.

Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimin e Kushtetutës së saj për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, bazuar në marrëveshjen me Bullgarinë që ishte arritur me ndërmjetësimin e Francës, në qershor në vitit 2022. Prandaj, shefja e diplomacisë gjermane tha se kjo i hap rrugë vazhdimit të bisedimeve me BE-në.

“Kushtetuta është diçka që nuk ndryshon shpesh, prandaj e kuptoj debatin që ekziston në shoqërinë tuaj, veçanërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe gjuhën tuaj. Me vendimin për hapjen e Kushtetutës, mund të fillojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Baerbokc, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Në gjashtë muajt në vijim do të dëshmojmë se qëndrojmë pas fjalëve tona. E keni fjalën time, BE-ja nuk do t’ju lërë në baltë. Maqedonia e Veriut i takon BE-së, andaj së bashku do ta bëjmë këtë rrugë”, shtoi ajo.

Ajo tha se të gjitha palët duhet të jenë pjesë e këtij procesi përfshirë edhe opozitën maqedonase, e cila kundërshton ndryshimet me arsyetimin se Sofja mund të paraqesë kushtëzime tjera, sipas VMRO DPMNE-së, partisë më të madhe opozitare.

“Në momentet e ndryshimit të Kushtetutës, libreza partiake nuk duhet të jetë në radhë të parë. Roli i opozitës është i rëndësishëm, por në demokraci duhet të luftosh shumë për çdo votë. Dhe, çdo votë do të thotë të kesh 2/3 e shumicës”, tha Baerbock.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se ekzekutivi maqedonas është e përkushtuar në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimit evropian të vendit, por theksoi edhe rëndësinë e rritjes së kredibilitetit të BE-së.

“Në procesin e integrimit evropian ishim shumë para Kroacisë ndërsa ajo tani dhjetë vjet është pjesë e unionit… Ne duhej të bënim ndryshimin e emrit dhe tani duhet të bëjmë ndryshimin e Kushtetutës dhe padyshim se kjo te njerëzit shkakton frustrime dhe dilema sa i përket kredibilitetit”.

“Qytetarët e dinë se përveç BE-së nuk kanë alternativë tjetër. Nëse shohim hartën e Evropës do të shohim se rajoni është në zemër të Evropës, i rrethuar me shtetet anëtare të BE-së, prandaj s’ka asnjë alternativë tjetër përveç BE-së, as politike, as gjeografike, as ekonomike e as historike”, shtoi ai.

Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut folën edhe për zhvillimet ndërkombëtare, në veçanti për konfliktin në Ukrainë dhe urdhërarrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për presidentin rus, Vladimir Putinin, nën dyshimet për dëbim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore