Lajme

Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë pritet të dorëhiqet


Shefi i kabinetit të presidentit amerikan Joe Biden, Ron Klain, pritet të largohet nga detyra së shpejti pas dy vitesh në këtë pozicion shumë të ndjeshëm dhe qendror në Shtëpinë e Bardhë, thanë të shtunën disa media amerikane.

Sipas The New York Times, Ron Klain “u ka besuar privatisht kolegëve të tij që nga zgjedhjet gjysmëmandatuese të nëntorit se pas një kohe rraskapitëse dhe të pandërprerë së bashku me Joe Biden, që daton që nga fushata e vitit 2020, ai është gati të bëjë lëvizjen e radhës”.

Largimi i këtij bashkëpunëtori në një nga pozicionet më të afërta me presidentin mund të vijë pas fjalimit vjetor të Joe Biden për gjendjen e shtetit, të planifikuar për më 7 shkurt, shton e përditshmja e New York-ut.

Ron Klain do të tërhiqej në një moment kyç të mandatit.

Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, në moshën 80-vjeçare, mund të shpallë zyrtarisht në javët e ardhshme se do të kandidojë për president në vitin 2024, ndërsa rivali i tij i madh republikan, Donald Trump, 76 vjeç, ka aplikuar tashmë.

Pas zgjedhjeve gjysmëmandatuese në nëntor, të cilat ishin shumë më pak katastrofike sesa pritej për demokratët, të cilët mbajtën kontrollin e Senatit dhe humbën ngushtë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, Joe Biden së fundmi u gjend në vështirësi për shkak të rastit të dokumenteve konfidenciale, të gjetura në një zyrë dhe në shtëpinë e tij private, kur ato duhej të ishin dorëzuar në Arkivin Kombëtar.

Pas ish-zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, e cila u largua në vitin 2022, largimi i Ron Klain do të ishte i dyti më i madh rreth Joe Biden që kur ai mori detyrën.

Përgjithësisht, gjatë të njëjtit mandat presidencial, posti i shefit të kabinetit rrallë herë e zë i njëjti person katër vjet radhazi. Katër shefa të shtabit kishin pasuar njëri-tjetrin nën mandatin e Donald Trump.

Ron Klain, 61 vjeç, shërbeu si shef i stafit të zëvendës presidentit Al Gore nga viti 1995 deri në 1999, më pas te zëvendës presidenti Joe Biden midis 2009 dhe 2011.

Gjatë mandatit të Barack Obama-s, ai shërbeu si koordinator i përgjigjes për Shtëpinë e Bardhë ndaj krizës së virusit Ebola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore