Lajme

Shefi i OBSH-së: Pandemia e koronavirusit, ende larg përfundimit


“Pështjellimi dhe vetëkënaqësia në adresimin e Covid-19, do të thotë se pandemia është ende larg përfundimit të saj, por ajo mund të vihet nën kontroll brenda disa muajve. Kjo, me masa të provuara nga shëndeti publik”, tha të hënën e 12 prillit drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ne, po ashtu, duam t’i shohim shoqëritë dhe ekonomitë teksa hapen dhe rifillojnë udhëtimet dhe tregtia”, vijoi Tedros në një konferencë për shtyp.

“Por aktualisht, njësitë e kujdesit intensiv, në shumë vende janë të tejmbushura, njerëzit po vdesin dhe kjo është plotësisht e shmangshme”.

“Pandemia e Covid-19 është ende një rrugë e gjatë. Por kemi shumë arsye për të qenë optimistë. Rënia e rasteve dhe vdekjeve, gjatë dy muajve të parë të vitit, tregon se ky virus dhe variantet e tij mund të ndalen”, shtoi ai, duke thënë se transmetimi po drejtohej nga “konfuzioni, vetëkënaqësia dhe mospërputhja në masat e shëndetit publik”.

India e ka tejkaluar Brazilin, duke u bërë vendi me numrin e dytë më të lartë të infeksioneve në të gjithë botën pas Shteteve të Bashkuara.

Kjo e fundit po lufton me një valë të dytë masive, pasi ka dhënë rreth 105 milionë doza vaksinash mes një popullsie prej 1.4 miliardë banorësh.

Drejtuesja e ekipit të OBSH-së për Covid-19, Maria van Kerkove, tha në konferencën për lajmet se pandemia po rritet në mënyrë eksponenciale, 9% të rasteve nga java e kaluar, javën e shtatë rresht të rritjeve dhe rritje prej 5% të vdekjeve.

Tedros tha se, në disa vende, pavarësisht transmetimit të vazhdueshëm, restorantet dhe klubet e natës ishin plot dhe tregjet ishin të hapura e të mbushura me njerëz. Shumë pak prej tyre merrnin masa paraprake.

“Disa njerëz duket se po ndjekin qasjen se, nëse janë relativisht të rinj, nuk ka rëndësi nëse marrin Covid-19”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore