Kosova

Shefi i Mjekimit Intenziv: 23 vjeçarja që u lëndua nga rrëzimi i çatisë vazhdon të jetë me aparaturë të frymëmarrjes


Foto: Radio Evropa e Lirë, Bujar Tërstena.

23 vjeçarja e cila u lëndua nga rënia e kulmit nga objekti i Komunës së Prishtinës, po vazhdon të trajtohet në klinikën e Mjekimit Intenziv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Aktualisht gjendja e saj shëndetësore edhe pse është stabile, ajo vazhdon të jetë me aparatura të frymëmarrjes dhe në gjumë përmes barnave.

Kështu ka deklaruar shefi i Mjekimit Intenziv, Shaqir Uka, në një përgjigje të shkurt për Albanian Post.

“Gjendja e saj është stabile, por vazhdon të qëndrojë me aparaturë të frymëmarrjes dhe në gjumë përmes barnave”, ka thënë Uka.

QKUK.

Çka ndodhi?

Një person është lënduar pas rënies së kulmit të ndërtesës së Komunës së re të Prishtinës, të enjten e 19 janarit.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit”  në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Borovci për AP.

Ndërsa, ka shtuar se policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat që dërguan deri tek ky rast.

Uka, pohoi se pacienten e kanë pranuar mbrëmë në Mjekimin Intensiv Qendror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore