Kosova

Alternativa e vetme për paqe është zgjerimi i NATO-s dhe integrimi në BE


Shefi i diplomacisë maqedone, Bujar Osmani ka thënë që “alternativa e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s në rajon dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Europian”.

Këto komente ai i bëri pas pyetjeve të gazetarëve lidhur me çështjen “non-paper” dhe debatit të zhvilluar ditëve të fundit mbi të rreth ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, pas takimit të zhvilluar me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla.

“Ne nuk duhet të biem në kurthin e lidhjes së autorësisë së atij dokumenti me Slloveninë, për shkak që një gjë e tillë është demantuar nga vet Sllovenia. Sllovenia është kryesuesja e radhës së BE-së, një mike e rajonit dhe nuk mendoj që është korrekte ta lidhim këtë dokument me Slloveninë”.

“Sa i takon përmbajtjes, qëllimi jonë ka qenë i prerë, se në Ballkan janë përdorur shumë modele në trajtimin e çështjeve etnike dhe unë mendoj që Marrëveshja e Ohrit, Pavarësia e Kosovës, perspektiva euro-atlantike janë treguar si të suksesshme në rajon dhe mendojmë që alternativa e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s në rajon dhe integrimi i rajonit në Bashkimin Europian”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa ministrja Gërvalla ka thënë se dizajnimi i ri i kufijve në Ballkan, është një ide tepër e rrezikshme që nxit konflikte të reja në rajon.

“E kemi ndjekur me shumë shqetësim daljen në media të letrave të tilla, të tezave të tilla që edhe përmendja e tyre është tepër e rrezikshme për rajonin. Në vitin 2018 kemi pas tendenca për gjetjen e zgjidhjes me shkëmbime të territoreve, në ndarje të vendit në bazë të linjave etnike”.

Gërvalla ka deklaruar se për Kosovën nuk është një opsion ri-konfigurimi i kufijve në baza etnike.

“Për ne është shumë e qartë që nuk është opsion ajo që shkruhet nëpër letra të tilla, pavarësisht ku janë autorët apo nëse janë menduar thjesht si teza për t’u diskutuar apo implementuar. Shumë i qartë është qëndrimi ynë që këtë e shohim të rrezikshme dhe do të duhet që të gjitha palët të ishin shumë të kujdesshme sepse në këtë formë cyten konflikte të reja, të cilat për rajonin tonë janë krejtësisht të panevojshme”, ka përfunduar ajo.

Gërvalla ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë çështje e interesa të përbashkëta si politike po ashtu edhe ekonomike dhe se dy vendet janë të përkushtuara për fqinjësi të mirë dhe stabilitet të rajonit.

Ministrja, Gërvalla ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është partner strategjik i Kosovës, duke treguar edhe rreth shumë marrëveshjeve të lidhura deri më tani mes dy vendeve

Ndërsa ministri Osmani ka shtuar se shteti i tij përkrah vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Republika e Maqedonisë mbështet përmbylljen e dialogun Kosovë-Serbi dhe vlerëson se duhet të përfundoj me njohje reciproke”.

Pas takimit me Gërvallën, ministrin Osmani e ka pritur në takim Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku raportet bilaterale ndërmjet dy shteteve janë vlerësuar si të shkëlqyeshme dhe se ekonomia dhe turizmi janë dy çështjet ku duhet thelluar edhe më tej bashkëpunimi.

“Maqedonia e Veriut do të qëndroj në krah Kosovës në rrugën e saj euroatlantike”, ka thënë ministri Osmani. Po ashtu, ai ka potencuar se kundërshton idenë për rivizatimin e kufijve duke vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit, pavarësia e Kosovës dhe perspektiva euroatlantike e rajonit janë treguar modele të suksesshme.

Ndërsa presidentja Osmani lidhur me çështjen e kufijve ka ritheksuar se përball skenarëve të tillë, vendet duhet të kontribuojnë bashkërisht në parandalimin e një mundësie të tillë.

“Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë tanë dhe e bëjnë Kosovën jofunksionale”.

njoftimin e Presidencës thuhet se ndër temat e diskutimit ka qenë edhe ajo e situatës me Covid-19 në të dy vendet fqinje.

Pas Presidentes edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

“Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si model i fqinjësisë së mirë.  Kryeministri Kurti dhe ministri Osmani biseduan për veprime konkrete dhe koordinim më të mirë mes dy qeverive, për të lehtësuar transportin rrugor dhe qarkullimin e mallrave”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje thuhet se Kurti e Osmani u dakorduan lidhur me hapat e mëtejmë rreth organizimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

“Ministri Osmani u shpreh i lumtur për konfirmimin e pjesëmarrjes së kryeministrit Kurti në Samitin e Prespës, që planifikohet të mbahet në korrik të këtij viti”, thotë njoftimi.

Temë e takimit ishte edhe çështja e integrimit evropian, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Me ministrin Osmani, takim ka zhvilluar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në takim është konstatua se mes dy vendeve nuk ka ndonjë çështje kontestuese që mund të  dëmtoj raportet e tyre.

Kryetari Konjufca ka thënë se fati i popujve të rajonit është i përbashkët, prandaj të tilla duhet të jenë edhe qëllimet.

“Në këtë kontekst, integrimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe avancimi drejt BE-së e bën më të sigurt edhe vet Kosovën si aspiruese e këtyre integrimeve”.

Ndërsa Ministri Osmani e ri potencoi edhe një herë se Maqedonia e Veriut është e vendosur ta mbështes Kosovën në rrugëtimin e saj euro-atlantik dhe në organizata e tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, ministri Osmani e informoi kryetarin Konjufca rreth investimeve në autostradës nga Bllaca në Shkup, e të cilat do ta bëjë të mundur rritjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve.

Në fund të takimit, kryetari Konjufca i shprehu ministrit Osmani nevojën e bashkëpunimit të Kuvendit të Kosovës me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sidomos rreth “ së Maqedonisë Veriore në proceset transformuese legjislative drejt rrugës së integrimit evropian, rrugë nëpër të cilën synon të kalojë edhe Republika e Kosovës”, thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës në facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore