Lajme

SHBA vendos sanksione ndaj qeverisë ushtarake në Myanmar


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është shprehur të mërkurën e 10 shkurtit, se ka miratuar një urdhër ekzekutiv që hapë rrugën për sanksione të reja ndaj zyrtarëve ushtarakë të Myanmar-it dhe bizneseve të tyre, pasi ushtria mori pushtetin me anë të një grusht-shteti.

“Urdhri ekzekutiv do të mundësojë që administarata të sanksionojë udhëheqësit ushtarakë që drejtuan grushtin e shtetit, interesat e tyre të biznesit si dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre”.

Ngrirje ndihmash

Biden gjithashtu njoftoi për ngrirjen e 1 miliard dollarëve të fondeve qeveritare të Myanmar-it, të mbajtura në Shtetet e Bashkuara, gjë që do të ndalonte gjeneralët të kenë qasje në këto fonde.

“Ne do të identifikojmë raundin e parë të objektivave tona këtë javë, dhe gjithashtu do të vendosim kontrolle të forta të eksporteve. Po ngrijmë pasuritë nga të cilat përfiton qeveria birmaneze, ndërsa vazhdojmë mbështetjen tonë për kujdesin shëndetësor, grupet e shoqërisë civile dhe fusha të tjera nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt njerëzit e Myanmar-it”.

Bashkëpunim me vendet e tjera për masa shtesë

Ai tha se SHBA-ja është e gatshme për të vendosur masa shtesë si dhe do të punojnë me vendet tjera, përfshirë bashkëpunimin me aleatët në Azi të cilët kanë lidhje më të ngushta me Myanmar-in dhe ushtrinë e tij.

Zelanda e Re-Bashkimi Evropian- plan për sanksione ndaj Myanmar-it

Reagim të fortë ka pasur edhe nga Zelanda e Re, e cila ka pezulluar kontaktet ushtarake, politike dhe është zotuar të bllokojë çdo ndihmë që mund të shkojë për qeverinë ushtarake në Myanmar.

Ndërsa shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha se do të ketë një takim midis ministrave të jashtëm evropianë për të shqyrtuar marrëdhëniet e shtetve  të bllokut me Myanmar-in për të rritur presionin  ekonomik.

Opsionet e presionit përfshijën sanksione për individë dhe biznese në pronësi të ushtrisë në Myanmar. Që nga viti 2014, BE i ka dhënë Myanmar-it gati 700 milionë euro.

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore