Shqipëria

SHBA uron rekrutët e rinj të BKH-së


“Urime dhe fat të mbarë burrave dhe grave që përfunduan me sukses procesin rigoroz të aplikimit dhe tani do të fillojnë trajnimin për Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH)”.

Ky është urimi që vjen nga Ambasada Amerikane pas përzgjedhjes së 28 kandidatëve aplikonte nga BKH-ja.

“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar”.

Në postimin në Twitter shkruhet se SHBA-ja pret “një tjetër thirrje për hetues të BKH-së, për të forcuar më tej këtë institucion të ri”.

Më 1 prill, Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës, mbylli verifikimet e kushteve të sigurisë për kandidatët.

Nga 37 aplikantë, vetëm 28 e kaluan këtë fazë. Tashmë ata do t’i nënshtrohen trajnimit përkatës. Më pas, vijohet me fazën e certifikimit.

Komisioni i Pavarur i Rishikimit monitoroi gjithë procesin. Ai është caktuar nga misionet e Qeverisë së SHBA-së dhe nga Bashkimi Evropian.

Një njoftim i dytë për 32 pozicione të tjera të lira, do të hapet në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore