Shqipëria

SHBA-të urojnë Shqipërinë për 110-vjetorin e Pavarësisë


Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka uruar popullin shqiptar në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për 110-vjetorin e Pavarësisë.

Sipas tij, ky urim përkon me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe partneritetin e gjerë e të fortë që është ndërtuar së bashku.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të nderuara të punojnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërsa ju vazhdoni të jepni kontribute të fuqishme në skenën globale”, shkruan fillimisht zyrtari i lartë amerikan.

Blinken thekson se Shqipëria ka treguar lidership dhe guxim duke mbështetur Ukrainën dhe duke ndriçuar veprimet e aktorëve keqdashës në Evropë dhe në mbarë botën.

Për SHBA-të, kontributet e çmuara të Shqipërisë si një aleate e NATO-s ndihmojnë në mbajtjen e Aleancës të fortë, të përgatitur dhe të vendosur.

“Shtetet e Bashkuara”, shtoi Blinken, “falënderojnë gjithashtu Shqipërinë për partneritetin dhe mbështetjen e saj në zhvendosjen e afganëve”.

Ai garantoi se administrata Biden do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj transatlantike.

“Së bashku, ne po punojmë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të siguruar energji duke avancuar agjendën tonë të përbashkët të klimës për Evropën dhe për të forcuar mbrojtjen kibernetike”, ravijëzoi sekretari amerikan.

Në përmbyllje, Antony Blinken shkruan se me nisjen e shekullit të ardhshëm të marrëdhënieve mes shteteve, SHBA-të janë krenare që qëndrojnë krah për krah me popullin shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore