Lajme

SHBA-të paralajmërojnë për sulme të mundshme terroriste në Turqi


Ambasada e SHBA-ve në Turqi paralajmëroi amerikanët të hënën për sulme të mundshme kundër kishave, sinagogave dhe misioneve diplomatike në Stamboll.

Kjo, duke shënuar njoftimin e dytë të tillë në katër ditë, pas incidenteve të djegies së Kuranit në Evropë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Në një alarm të përditësuar të sigurisë, ambasada amerikane tha se “sulme të mundshme hakmarrëse të afërta nga terroristët” mund të ndodhin në zonat e frekuentuara nga perëndimorët, veçanërisht në lagjet Beyoglu, Galata, Taksim dhe Istiklal të qytetit.

Autoritetet turke po hetojnë çështjen, shtoi ajo.

Të premten, disa ambasada në Ankara, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Italisë lëshuan alarme sigurie për sulme të mundshme hakmarrëse kundër vendeve të adhurimit, pas incidenteve të veçanta në të cilat libri i shenjtë mysliman, Kurani, u dogj në Suedi, Holandë dhe Danimarkë.

Të shtunën, Turqia paralajmëroi qytetarët e saj kundër “sulmeve të mundshme islamofobike, ksenofobike dhe raciste” në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Vendet nordike u kërkojnë qytetarëve të tyre në Turqi të jenë vigjilentë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore