Lajme

SHBA-të: Njohja reciproke duhet të jetë në qendër të dialogut Kosovë-Serbi


Antony Blinken, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes përfundimtare.

Kështu të paktën thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, pas takimit që Sekretari Antony Blinken ka realizuar me dy krerët e Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, të martën në mbrëmje.

Sipas njoftimit, Blinken gjatë takimit ka theksuar fuqinë e partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës si dhe ka falënderuar liderët kosovarë për përkrahjen e fortë për Ukrainën dhe pritjen e refugjatëve afganë.

“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën përpara drejt integrimit euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Vjosa Osmani, Antony Blinken dhe Albin Kurti

Pas takimit me Blinken, Osmani dhe Kurti gjatë një prononcimi për mediat treguan për atmosferën e takimit dhe çështjet të cilët u diskutuan brenda tij.

Për Osmanin takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit ishte i shkëlqyeshëm në të cilën u konfirmuar që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-të”.

Osmani më tej tregoi se gjatë takimit kanë biseduar edhe për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe sidomos nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Në këtë takim ajo tha se kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë dhe shtoi se administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, “gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”.

E për Kurtin takimi me Blinken ka qenë shumë i përzemërt.

I pari i ekzekutivit ka treguar se nga Blinken kanë kërkuar shtimin e investimeve amerikane në Kosovë si dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë midis dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore