Lajme

SHBA-të mbështetën vendimin e Kanadasë për turbinën “Nord Stream 1”


Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vendimin e Kanadasë për t’i kthyer Gjermanisë një turbinë të riparuar.

Kjo e fundit, është e nevojshme për gazsjellësin “Nord Stream 1”.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

“Në planin afatshkurtër, turbina do t’i lejojë Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane të rimbushin rezervat e tyre të gazit, duke rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre energjetike, si dhe duke kundërshtuar përpjekjet e Rusisë për të armatosur energjinë”, u shpreh fillimisht Price.

Ai shtoi se SHBA-të po punojnë me aleatët dhe partnerët për të reduktuar varësinë kolektive.

Kjo, nga burimet ruse të energjisë dhe për të mbajtur presionin ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

Price siguroi se Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët janë të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën.

Zyrtari amerikan siguroi se qeveria ruse do t’i ndjejë efektet përkeqësuese të kufizimeve ekonomike dhe sanksioneve të ashpra.

Të shtunën, qeveria kanadeze ra dakord të bënte një përjashtim nga sanksionet ruse dhe të dërgonte turbinën, e cila iu nënshtrua mirëmbajtjes në Kanada, në Gjermani.

Zyrtarët gjermanë i kërkuan Kanadasë që të gjente një mënyrë për të kthyer turbinën, nga frika se Rusia do ta përdorte këtë çështje si një justifikim për të mbyllur “Nord Stream 1” dhe për të dëmtuar aftësinë e Gjermanisë për të mbushur rezervuarët e saj të depozitimit të gazit përpara dimrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore